Shoqëria e Avokatëve “Vokshi & Lata” po sjell edicionin e dytë të “Legal Guide to Investing in Kosovo”, një udhëzues ligjor për investimet në Kosovë. Ky botim synon të ofrojë informacion të përditësuar mbi rregullat ligjore duke i dhënë investitorëve të huaj një pasqyrë të qartë për mundësitë e investimit në vend.
Avokati Urim Vokshi tha se ky edicion i dytë i këtij udhëzuesi ka për qëllim të rrisë interesimin për investitorë të huaj.
Sipas Vokshit, ky udhëzues është gjithëpërfshirës për investorët e huaj, pasi që përmbledh të gjitha aspektet ligjore dhe praktike të investimit në Kosovë.
“Është diku 170 faqe gjithsej, që përfshin 16 kapituj të ndryshëm, përfshirë investimet e huaja, rregullativën për hapjen e biznesit në Kosovë, aspektin e taksave, të drejtat e punëtorëve dhe të gjitha aspektet e tjera të cilat ju interesojnë investitorëve të huaj. Publikimi është bërë duke u bazuar në pyetjet e shpeshta të cilat i marrim prej investitorëve të huaj, të cilët interesohen për rregullativën ligjore para se të vijnë të investojnë në Kosovë” , tha ai.
Edicioni i parë i këtij udhëzuesi ishte publikuar në gjuhën angleze, gjermane dhe franceze ndërsa shumë shpejt pritet të botohet edhe udhëzuesi për të bërit biznes në gjuhën shqipe.
Vokshi thotë se përveç botimit të udhëzuesit ligjor, Shoqëria e Avokatëve Vokshi & Lata ka bërë hapa të rinj për të lehtësuar qasjen e investitorëve të huaj në informacionin mbi mundësitë e investimit.
“Udhëzuesi ligjor është i qasshëm pa pagesë në faqen tonë, por përveç kësaj, risia këtë vit është se kemi bërë edhe një website të dedikuar investimeve në Kosovë, i cili është investinginkosovo.com, ku qëllimi i këtij website-i është që së bashku me partnerët tanë të prezantojmë Kosovën sa më mirë për të tërhequr investitorë të huaj për të ardhur me investu në Kosovë, përfshirë fusha të ndryshme të investimit të cilat janë me interes për ta.”
Vokshi & Lata është një nga zyrat kryesore të avokatisë në Kosovë, e fokusuar në asistimin e klientëve vendas dhe ndërkombëtarë në të gjitha fushat e së drejtës tregtare dhe të drejtës biznesore.

