Ministria e Rinisë dhe Sportit në Kosovë pritet të ketë një fokus më të qartë dhe të drejtpërdrejtë në zhvillimin e sportit pas ndarjes nga Ministria e Kulturës, derisa përgatitjet për Lojërat Mesdhetare dhe investimet në infrastrukturë sportive mbeten prioritet kyç.
Në një intervistë për KosovaPress. drejtori i Agjencisë për Sport, Fidan Shatri ka folur për zhvillimet aktuale, planet konkrete dhe sfidat që lidhen me këtë proces.
Sa i përket angazhimit të ministrit të Ministrisë së Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, dhe vizitave në terren, Shatri e cilësoi këtë si vazhdimësi të proceseve ekzistuese. Ai theksoi se investimet në infrastrukturë janë të lidhura drejtpërdrejt me organizimin e Lojërave Mesdhetare dhe përbëjnë një zotim të madh shtetëror.
“Çështja e infrastrukturës sportive në kuadër të Lojërave Mesdhetare, fokusi i qeverisë ka qenë në momentin kur edhe janë marrë organizimi i Lojërave Mesdhetare dhe normal që janë zotuar 250 milionë euro të cilat do të shkojnë në infrastrukturë sportive dhe po besoj që dita-ditës projektet të cilat janë paraparë që të zhvillohen aktivitetet në kuadër të Lojërave Mesdhetare, të fillojnë disa projekte të reja, por të bëhet edhe një investim edhe renovim i gjendjes aktuale të infrastrukturës, e cila është paraparë edhe me librin e kandidaturës, por edhe me zhvillimet në kuadër të punës të cilën e kemi bërë deri më tani. Është çështje që i takon Qeverisë së Kosovës, sidomos infrastruktura sportive, pasi që është mandat, funksion i qeverisë, zotim i qeverisë për infrastrukturën sportive dhe po besoj që është plan konkret për Lojërat Mesdhetare sa i përket infrastrukturës sportive”, theksoi Shatri.
Në lidhje me ndikimin e situatës politike në Kosovë, Shatri pranoi se mund të ketë ngadalësime, por jo ndalim të proceseve.
Sa i përket mundësisë për rrezikun e humbjes së organizimit të Lojërave Mesdhetare, Shatri i hodhi poshtë këto pretendime.
Duke folur për projektet konkrete që pritet të nisin, ai përmendi disa investime të rëndësishme infrastrukturore.

