Telenews

PDK-ja akuzon Osmanin për shkelje kushtetuese

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, ka thënë se mosemërimi i anëtarit të dytë të PDK-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, është cenim i kushtetushmërisë, demokracisë dhe i zgjedhjeve nga ana e presidentes.

Gjoshi, në një konferencë për media të martën, ka deklaruar se refuzimi i Osmanit është dëmtim i qëllimshëm i përfaqësimit të PDK-së në KQZ dhe i dobësimit të rolit të opozitës në këtë fazë kritike politike për shtetin.

“Presidentja Osmani, në shkresën e datës 9 mars drejtuar kryetarit Bedri Hamza, ka kërkuar që t’i propozojmë me shkrim KANDIDATËT për anëtarë të KQZ-së. Pra, jo propozimin e një kandidati, siç e ka certifikuar tani, por të kandidatëve, në shumës. Prandaj, ajo ka përgjegjësinë që para qytetarëve të sqarojë se çfarë e shtyri që në momentet e fundit të tërhiqej nga rruga kushtetuese dhe ligjore e emërimit të anëtarëve të PDK-së në KQZ”, është shprehur ai.

Gjoshi ka theksuar se mosemërimi i përfaqësuesit të dytë të PDK-së në KQZ bie ndesh me Kushtetutën, pasi përcaktohet qartë se 6 anëtarë të KQZ-së emërohen nga gjashtë grupet më të mëdha parlamentare, përkatësisht nga subjektet politike shqiptare të përfaqësuara në Kuvend, që aktualisht janë LVV, PDK, LDK dhe AAK.

“Pra, Kushtetuta e Kosovës është e qartë: së pari, sigurohet përfaqësimi proporcional i subjekteve më të mëdha parlamentare. Dhe së dyti, meqenëse pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit në Kuvend janë vetëm 4 grupe parlamentare shqiptare, pra në mungesë të numrit të mjaftueshëm prej 6 grupeve, anëtarët shtesë emërohen nga grupet më të mëdha parlamentare, që në këtë rast janë Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës”, sqaroi ai.

Sipas Gjoshit, ky zhvillim përveç që po e cenon opozitën, por e rrezikon vetë legjitimitetin e zgjedhjeve dhe standardet demokratike të Republikës së Kosovës.

Ai ka përmendur një rast të ngjashëm kur presidentja Osmani në vitin 2021, ishte përpjekur ta pamundësojë emërimin e anëtarit të dytë të PDK-së të KQZ-së.

Në këtë adresim për media, Gjoshi shprehu shqetësim tjetër që nëse Gjykata Kushtetuese nuk do të kthejë përgjigje ashtu siç bëri në vitin 2021, pas datës 4 prill në postin e të parës së shtetit do të vendoset si Ushtruese Detyre, Albulena Haxhiu, e cila mund të vendosë në mënyrë arbitrare që PDK-së të mos i takojë e drejta për përfaqësim në KQZ me dy anëtarë.

Presidentja Vjosa Osmani i është drejtuar Kushtetueses për të sqaruar çështjen e emërimit të anëtarëve të KQZ-së.

Dilema kushtetuese, sipas kabinetit të presidentes Osmani, është për shkak se partitë kanë bërë më shumë propozime sesa që parasheh Kushtetuta.

Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar tre kandidatë për përfaqësim në KQZ, ani se Kushtetuta thotë ndryshe. Burime të KOHËS thanë se Alban Krasniqi është propozuar për edhe një mandat, ndërsa emra të rinj janë Violeta Emini dhe Njazi Isaku.

Burime të KOHËS thanë se PDK-ja ka propozuar për anëtarë të KQZ-së, Ilir Gashin dhe Rashit Qalajn, LDK-ja Sami Hamitin e AAK-ja Muharrem Nitajn. Sipas këtyre burimeve, nga komunitetet, vetëm nga ai turk është propozuar anëtari që ka shërbyer në mandatin aktual, ndërsa të tjerët janë emra të rinj.

Njësoj më 2021 kur Vetëvendosje pati fituar 50 për qind të votave, pati insistuar në propozimin e tre kandidatëve, por presidentja Osmani pati emëruar dy.

E një zvarritje të tillë të emërimit të anëtarëve të KQZ-së e pati bërë për disa muaj pas zgjedhjeve të 2017-s edhe ish-presidenti Hashim Thaçi.

Të ngajshme

OVL e UÇK-së i ka disa fjalë për Epopenë e Dukagjinit

Rrezarta Ramaj

Dy cisterna gazi me flamur indian kalojnë Ngushticën e Hormuzit pa incidente

Valjeta Turkaj

Ky është numri i zyrtarëve që e kanë deklaruar pasurinë deri tani

Valjeta Turkaj