Telenews

Bie në pranga i dyshuari i pestë për tjetërsim të pronës tremilionëshe në Ferizaj

Policia e Kosovës ka arrestuar të dyshuarin e pestë për tjetërsim të një prone në vlerë rreth 3 milionë euro në komunën e Ferizajt.

Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari është B.L., i cili është intervistuar të enjten nën dyshimin për bashkëkryerje të veprave penale “mashtrim”, “falsifikim i dokumenteve” dhe “legalizim i përmbajtjes së rreme”.

Policia ka bërë të ditur se ekziston dyshimi që personat e përfshirë, “duke falsifikuar dokumentet e identifikimit dhe certifikatën e pronës së palës ankuese, kanë arritur të tjetërsojnë në mënyrë të kundërligjshme pronën e tij me sipërfaqe prej shtatë hektarësh në vlerë të përafërt të tregut rreth tre (3) milion euro e cila gjendet në komunën e Ferizajt, të cilën më pas e kanë parcelizuar dhe shitur personave të tretë”.

Pas intervistimit, B.L. është ndaluar për 48 orë.

Ndërkohë, në një lokacion është kryer bastisje, ku janë gjetur dhe sekuestruar një telefon mobil dhe dokumente që ndërlidhen me rastin.

Lidhur me këtë rast, Policia kishte arrestuar më 19 shkurt edhe katër persona të tjerë.

Sinjali pati raporuar ekskluzivisht emrat e të dyshuarve të tjerë: Muhamet Meli, Shpend Bobaj, Driton Restelica dhe Burhan Zhinipotoku.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Të ngajshme

Tronditëse në Llap, i mituri qëllon aksidentalisht vëllanë 10-vjeçar me kallash

Yllka Gashi

Gjashtë të lënduar në një aksident në Gjakovë, vozitësi dërgohet në mbajtje

Yllka Gashi

Aksident fatal në Shijak, vetura përplas për vdekje 32-vjeçarin – shoferi në arrati

Yllka Gashi