Telenews

Rezoluta e ShBA-së mirëpritet në Kosovë, kundërshtohet nga Serbia

Tre kongresistë amerikanë, Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler, e kanë paraqitur një rezolutë në Dhomën e Përfaqësuesve për ta mbështetur anëtarësimin e Kosovës në NATO, duke argumentuar se prania e saj në aleancë është thelbësore për mbrojtjen e interesave të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara në Evropën Juglindore.

E kjo rezolutë është mirëpritur nga zyrtarë në Kosovë, por gjithashtu është kundërshtuar nga Serbia.

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, shprehu “mirënjohje për përfaqësuesit Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler për lidershipin e tyre dhe për mbështetjen e vazhdueshme që Kosova ta zërë vendin që i takon në familjen euroatlantike”, shkruan REL.

Ambasadori i Kosovës në Uashington, Ilir Dugolli, shkroi në X se ndihet mirënjohës ndaj kongresistëve për “mbështetjen e palëkundur për Kosovën dhe anëtarësimin e saj në NATO”.

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, tha se do të luftojë kundër përpjekjeve për integrimin e Kosovës në NATO.

“Do të kemi së shpejti ushtrime të rëndësishme me NATO-n. Po bisedojmë me ta dhe shpresojmë që kjo të mos ndodhë”, tha Vuçiq lidhur me anëtarësimin e mundshëm të Kosovës.

Kosova e cilëson si qenësore miqësinë me Shtetet e Bashkuara, vend që ka bërë shumë në pavarësimin dhe shtetndërtimin e Kosovës.

Kosova është tani duke e shndërruar Forcën e Sigurisë në ushtri të plotë, që pritet të përmbyllet më 2028.

SHBA-ja e ka mbështetur nga fillimi shndërrimin e FSK-së në ushtri, por jo edhe NATO-ja, e cila ngul këmbë që FSK-ja t’u përmbahet detyrave të saj fillestare, si: reagimi ndaj krizave apo mbrojtja civile.

Prishtina, gjatë procesit të transformimit të FSK-së në ushtri, po ashtu po pajiset me armatime të reja, përfshirë ato të prodhuara në SHBA. Vendi po ashtu është mikpritës i bazës më të madhe amerikane në Ballkan, Bondsteel.

Po ashtu, Kosova po ashtu do të jetë pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën.

Forca Ndërkombëtare Stabilizuese është një mekanizëm i krijuar si pjesë e nismës së Bordit të Paqes, i propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, për arritjen e paqes në botë.

Të ngajshme

Diaspora 12 ditë afat për t’u regjistruar si votues

Valjeta Turkaj

Seancat ndaj Thaçit dhe të tjerëve kundër administrimit të drejtësisë, nga 11 deri më 15 maj

Valjeta Turkaj

Rama: Lojërat Mesdhetare, mundësi që vjen vetëm një herë në jetë

Valjeta Turkaj