Komuna e Ferizajt ka reaguar publikisht pas deklaratave të ministres në detyrë të Mjedisit, Fitore Pacolli, e cila ngriti dyshime për keqpërdorime në dy raste të shpronësimeve në këtë komunë.
Në një sqarim të publikuar në rrjetet sociale, komuna ka theksuar se procesi i shpronësimeve nuk përfundon dhe nuk vlerësohet në nivel lokal, por menaxhohet dhe miratohet në nivel qendror, përkatësisht nga departamenti përkatës i ministrisë përgjegjëse.
Sipas reagimit zyrtar, çdo përpjekje për t’ia atribuar komunës përgjegjësinë e plotë për këto raste është e pasaktë dhe, siç thuhet, paraqet keqinformim të opinionit publik me qasje tendencioze.
“Procesi i shpronësimeve kryhet dhe merr vlerësim përfundimtar në nivel qendror, në departamentin e shpronësimeve të Ministrisë përkatëse”, thuhet në deklaratën e komunës.
Po ashtu, Komuna e Ferizajt ka theksuar se mbetet e përkushtuar ndaj transparencës, llogaridhënies dhe sigurimit të një procesi të hapur dhe të qasshëm për të gjitha palët e përfshira.

