Katy Perry ka zbuluar kalendarin e saj të festivaleve për verën e vitit 2026 dhe mes emrave më të mëdhenj të skenës evropiane shfaqet edhe Prishtina.
Këngëtarja amerikane ka përfshirë “Sunny Hill Festival” në hartën e saj, duke e zbuluar 31 korrikun si datën kur do të performojë para publikut kosovar, shkruan Indeksonline.
Turneu festivalor i Perry-t përfshin disa nga ngjarjet më të njohura muzikore në Spanjë, Portugali, Belgjikë, Francë, Itali dhe Maltë, ndërsa ndalesa në Kosovë vjen si një nga pikat kulmore të verës së saj evropiane.
Për Prishtinën, kjo është më shumë sesa një koncert. Përfshirja e “Sunny Hill Festival” në agjendën zyrtare të një prej emrave më të njohur të muzikës pop tregon ndikimin në rritje të festivalit kosovar në skenën ndërkombëtare. Edicioni i vitit 2026 do të mbahet nga 31 korriku deri më 2 gusht, me Katy Perry si një nga emrat kryesorë të programit.
Me këtë njoftim, Sunny Hill fiton një tjetër moment të rëndësishëm promovues, duke e pozicionuar Prishtinën në të njëjtën listë me disa prej destinacioneve më të njohura muzikore të Evropës.

