Telenews

Tragjedi në Pakistan: Shembet çatia e një qendre mësimore, vdesin 14 fëmijë

Të paktën 14 fëmijë kanë humbur jetën pasi çatia e një ndërtese pranë qytetit të Lahores u shemb mbi ta, kanë njoftuar autoritetet.

Ngjarja ndodhi në një qendër private mësimore në lagjen Kahna të qytetit pakistanez.

Mes viktimave ka edhe fëmijë nën moshën 10-vjeçare, të cilët u nxorën nga rrënojat pas shembjes së çatisë.

Autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të ngjarjes, ndërsa dy persona janë ndaluar si pjesë e hetimeve fillestare, raporton BBC – transmeton Sinjali.

Farooq Ahmed, zëdhënës i shërbimit të emergjencës Rescue 1122, tha për BBC se njoftimi për incidentin është pranuar në orën 16:45 me kohën lokale.

Sipas tij, operacioni i shpëtimit përfundoi brenda një ore dhe shumica e viktimave ishin fëmijë të moshës nga shtatë deri në 11 vjeç.

Po ashtu, raportohet se pesë persona të tjerë kanë mbetur të lënduar.

Një burrë, i cili tha se mbesa e tij ishte mes viktimave, deklaroi për AFP se çatia e ndërtesës ishte në gjendje të rënduar.

Zaheer, 45 vjeç, tha se në momentin e aksidentit po kryheshin punime riparimi në çati, ndërsa fëmijët ndodheshin në mësim.

“Papritur çatia u shemb mbi një numër të madh fëmijësh. Ata vendosën shumë peshë mbi çati dhe kjo është arsyeja pse ndodhi tragjedia”, u shpreh ai.

Një banor tjetër i zonës i tha agjencisë Associated Press: “Nuk dimë në cilën shtëpi të shkojmë më parë për t’u shprehur ngushëllime familjeve që humbën fëmijët e tyre.”

Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave përmes një deklarate të publikuar nga AFP.

Ai tha se lutet për shërimin e shpejtë të të lënduarve dhe u ka kërkuar autoriteteve të ofrojnë të gjithë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Edhe kryeministrja e provincës Punjab, Maryam Nawaz Sharif, e cilësoi ngjarjen si një “tragjedi zemërthyese”.

Në një reagim të publikuar në rrjetin social X, ajo tha se “humbja e 14 jetëve të pafajshme është një dhimbje e pamasë dhe zemra ime është me familjet që po përjetojnë këtë pikëllim”.

“Çdo person që do të rezultojë përgjegjës do të përballet me forcën e plotë të ligjit”, shtoi ajo.

Të ngajshme

Spanjë, mbi 5 000 vdekje që nga 1 qershori për shkak të nxehtësisë

Yllka Gashi

Më shumë se 1,000 të vdekur pas përmbytjeve katastrofike në Nepal dhe Kinë

Yllka Gashi

Maqedonci takon presidentin Erdogan në Turqi, pesë kadetë nga Kosova diplomojnë në Akademinë Ushtarake

Yllka Gashi