Trajneri i Zvicrës, Murat Yakin, ka kritikuar ashpër vendimin e VAR-it që çoi në përjashtimin e Breel Embolos, duke e cilësuar atë si momentin që vendosi fatin e ndeshjes ndaj Argjentinës.
Zvicra u eliminua nga Kupa e Botës pas humbjes 3-1 ndaj Argjentinës në kohën shtesë, në një përballje dramatike ku skuadra evropiane luajti për një pjesë të madhe të ndeshjes me një lojtar më pak.
Sipas Yakin, kartoni i dytë i verdhë i Embolos ishte vendimi që ndryshoi tërësisht rrjedhën e sfidës. Fillimisht, gjyqtari kishte akorduar faull në favor të Zvicrës pas një përplasjeje mes sulmuesit dhe Leandro Paredes, por pas rishikimit nga VAR-i vendimi u anulua dhe Embolo u ndëshkua për simulim.
Pas epërsisë numerike, Argjentina arriti të shënojë dy herë në vazhdime me Julian Alvarez dhe Lautaro Martinez, duke siguruar biletën për në gjysmëfinale.
“U ndëshkuam për shkak të një gabimi. Nuk kishte asnjë arsye për atë karton. Nuk e kuptoj. Ishte një situatë e pafajshme dhe nuk kishte asgjë të qëllimshme”, deklaroi Yakin pas ndeshjes.
Tekniku zviceran vuri në pikëpyetje edhe vendimin e gjyqtarit, edhe ndërhyrjen e teknologjisë VAR.
“Ky vendim ishte thjesht i pabesueshëm. Nuk jam aspak dakord me të. Kishte kontakt të qartë dhe nuk e kuptoj se si gjyqtari dhe VAR-i arritën në atë përfundim”, u shpreh ai.
Megjithatë, Yakin nuk pretendoi se Argjentina ishte favorizuar nga gjyqtarët, duke theksuar se sfida ishte e drejtë.
“Nuk do të thoja se ata ishin të favorizuar. Ishte një ndeshje e hapur dhe të dyja skuadrat luajtën futboll. Por sot futbolli nuk fitoi”, tha trajneri zviceran.
Pavarësisht zhgënjimit, Yakin pranoi se Argjentina duhet përgëzuar, ndërsa theksoi se Zvicra bëri një paraqitje historike në këtë Botëror.
“Ky ishte një moment vendimtar që përcaktoi fatin e ndeshjes. Mund të ankohemi tani, por duhet ta përgëzojmë Argjentinën”, përfundoi ai.
Zvicra e mbylli kështu një kampanjë historike, pasi arriti paraqitjen e saj më të mirë në Kupën e Botës në më shumë se shtatë dekada.

