Telenews

APK dhe ATK nënshkruajnë marrëveshje për shkëmbim elektronik të të dhënave

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) dhe Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi që synon forcimin e koordinimit ndërinstitucional dhe avancimin e digjitalizimit të administratës publike.

Marrëveshja mundëson ndërlidhjen e sistemeve elektronike të dy institucioneve, duke krijuar kushte për shkëmbim të sigurt dhe të kontrolluar të të dhënave, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Sipas marrëveshjes, ATK-ja do t’i ofrojë APK-së qasje në të dhënat e nevojshme për zhvillimin e procedurave administrative, ndërsa APK do t’i mundësojë ATK-së qasje në sistemin elektronik të deklarimit të pasurisë për ushtrimin e kompetencave të saj ligjore.

Aspektet teknike dhe mënyra e shkëmbimit të të dhënave do të rregullohen përmes një Procedure Standarde të Operimit, e cila do të garantojë sigurinë, autorizimin dhe mbrojtjen e të dhënave.

Drejtori i APK-së, Yll Buleshkaj, tha se bashkëpunimi ndërinstitucional dhe transformimi digjital janë kyç për rritjen e efikasitetit të institucioneve publike, duke shtuar se ndërlidhja e sistemeve do të përshpejtojë proceset e verifikimit dhe do të forcojë mbrojtjen e interesit publik.

Ndërkaq, drejtori i përgjithshëm i ATK-së, Mentor Hyseni, e cilësoi marrëveshjen si një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të proceseve dhe rritjes së efikasitetit institucional.

Sipas institucioneve, ky bashkëpunim pritet të shërbejë si model edhe për zgjerimin e shkëmbimit të të dhënave me institucione të tjera, me qëllim përmirësimin e koordinimit në trajtimin e rasteve komplekse të verifikimit të pasurisë dhe hetimeve administrative.

Të ngajshme

Edhe nesër kufizime për kamionët mbi 20 tonë në autoudhë

KushtrimGuraj

Kosova mposht Serbinë në Kampionatin Ndërkombëtar të Golfit

Rrezarta Ramaj

Gjithçka e kryer/ Mirlind Daku me klub të ri, sulmuesi shqiptar nuk lëviz nga Rusia

Rrezarta Ramaj