Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka publikuar Raportin e Stabilitetit Financiar për vitin 2025, i cili paraqet vlerësimin e zhvillimeve në sistemin financiar, rreziqeve ndaj stabilitetit financiar dhe qëndrueshmërisë së sistemit përballë zhvillimeve të pafavorshme.
Sipas raportit, sistemi financiar i Kosovës ruajti stabilitet të lartë gjatë vitit 2025, pavarësisht pasigurive globale, tensioneve gjeopolitike, presioneve inflacioniste dhe kushteve më të shtrënguara të financimit.
BQK thekson se, pozita e shëndoshë financiare e institucioneve financiare, korniza e avancuar rregullative dhe mbikëqyrëse, si dhe politikat makroprudenciale të ndjekura nga BQK kanë forcuar kapacitetin e sistemit financiar për të absorbuar rreziqet dhe për të ruajtur funksionimin e qëndrueshëm të ndërmjetësimit financiar.
“Vlerësimi i përgjithshëm i raportit është se rreziqet ndaj stabilitetit financiar mbeten nën kontroll. Sistemi financiar vazhdon të karakterizohet nga pozicion i fortë kapitali, likuiditet i mjaftueshëm, cilësi e mirë e aseteve dhe burime të qëndrueshme financimi, duke ruajtur aftësinë për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit edhe në skenarë më pak të favorshëm. Gjithashtu, progresi në qëndrueshmërinë operacionale dhe kibernetike, modernizimin e infrastrukturës financiare dhe digjitalizimin e shërbimeve financiare po rrit sigurinë, efikasitetin dhe besimin në sistemin financiar”, thuhet në njoftim.
BQK thekson se do të vazhdojë të zbatojë politika të kujdesshme mbikëqyrëse dhe makroprudenciale, në harmoni me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, për identifikimin në kohë të rreziqeve dhe ruajtjen e stabilitetit financiar, duke kontribuar në krijimin e kushteve për rritje të qëndrueshme ekonomike.

