Tre bashkatdhetarë tanë ndërruan jetë në një aksident fatal në Regensburg të Gjermanisë.
Tre shtetas të Kosovës, me prejardhje nga Komogllava e Ferizajt, u aksidentuan për vdekje derisa po ktheheshin nga Kosova.
“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për humbjen tragjike të jetës së tre bashkatdhetarëve tanë në një aksident pranë Nittendorfit, në rajonin e Regensburgut në Bavari. Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani është në kontakt me autoritetet gjermane lidhur me rastin.
Në këto momente jashtëzakonisht të dhimbshme, u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjarëve dhe të afërmve të viktimave. U prehshin në paqe!”, shkroi ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti.
IndeksOnline raporton se autoritetet e Republikës së Kosovës, si Ministria e Punëve të Jashtme, ashtu edhe Ambasada e Kosovës në Gjermani, janë në kontakt të vazhdueshëm me familjarët e viktimave.
Me të përfunduar hetimet e nevojshme nga shteti gjerman, autoritetet tona do të angazhohen për procedurat e kthimit të trupave të pajetë të viktimave, në Kosovë.
Viktimat janë T. Aliu (61 vjeç), djali i tij G. Aliu (34 vjeç) dhe nipi L. Aliu (16 vjeç).

