Telenews

Konjufca kritikon “qëndrimet tolerante të BE-së”: Serbia është burim kërcënimi dhe destabiliteti për rajonin

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se Serbia vazhdon të përbëjë kërcënim për paqen dhe stabilitetin në rajon, duke kritikuar edhe qëndrimet e Bashkimit Evropian ndaj politikës së Beogradit.

Konjufca tha se retorika zyrtare e Serbisë ndaj Kosovës mbetet agresive, ndërsa përmendi edhe bashkëpunimin ushtarak të Beogradit me Kinën dhe qëndrimet e tij ndaj zhvillimeve ndërkombëtare.

“Në të njëjtën kohë edhe ka intensifikuar bashkëpunimin ushtarak me vende si Kina, dhe është i vetmi vend i cili në rajon mori pjesë në ceremoninë mortore të ish-udhëheqësit iranian Khamenei. Ky orientim i Serbisë është më shumë sesa një pozicion i dyzuar në arenën ndërkombëtare. Retorika e pandryshuar agresore e politikës zyrtare serbe kundrejt Republikës së Kosovës dëshmon se Serbia është burim kërcënimi dhe destabiliteti për paqen rajonale dhe evropiane. Deklarata e ministres serbe se po të ishte në vend të Milosheviqit do ta spastronte etnikisht Kosovën sërish, është një deklaratë që duhet ta marrim seriozisht jo vetëm si shtet i Kosovës, por duhet të merret po aq me vëmendje dhe me seriozitet edhe nga aleatët tanë ndërkombëtarë, që kanë investuar dhe investojnë në sigurinë dhe në paqen e rajonit tonë. Qëndrimet tolerante të Bashkimit Evropian ndaj pozicioneve të tilla të Serbisë e kanë inkurajuar vetë Serbinë”, tha ai.

Këto deklarata Konjufca i bëri në edicionin e nëntë të Konferencës së Ambasadorëve të Republikës së Kosovës, aktivitet i organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Duke folur për orientimin e politikës së jashtme të Kosovës, Konjufca tha se vendi ka qëndruar në mbështetje të aleancës perëndimore dhe Ukrainës përballë agresionit rus.

“Rrethanat e trazuara globale të viteve të fundit kanë dëshmuar se Republika e Kosovës, si shtet sovran, dhe i pavarur, ka qëndruar e palëkundur në mbështetjen e aleancës perëndimore për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e Ukrainës kundrejt agresionit të Rusisë dhe i ka mbështetur të gjitha masat sanksionuese që aleanca perëndimore ia ka vendosur Federatës Ruse. Po ashtu, Republika e Kosovës qëndron përkrah aleatit tonë më të madh, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në përpjekjen e tyre për të ndërtuar paqen në Lindjen e Mesme. Anëtarësimi në Bordin e Paqes i themeluar nga Presidenti Trump dhe dërgimi i ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Gaza në kuadër të Trupës Paqeruajtëse janë dëshmi e orientimit dhe e lojalitetit tonë ndaj këtij partneriteti, që e kemi”, tha ai.

Konjufca tha se Konferenca e Ambasadorëve është një aktivitet i rregullt vjetor përmes të cilit shqyrtohen rezultatet e diplomacisë së Kosovës dhe diskutohen zhvillimet ndërkombëtare që prekin interesat e vendit.

“Të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, si një aktivitet tashmë i rregullt vjetor, përmes të cilit synojmë që krahas shqyrtimit të rezultateve të diplomacisë tonë, të analizojmë, diskutojmë dhe reflektojmë mbi zhvillimet e brendshme; por veçanërisht ato ndërkombëtare, që prekin objektivat e politikës së jashtme të Republikës së Kosovës në arenën botërore. Republika e Kosovës duhet të jetë gjithnjë e më e përgatitur që, përmes institucioneve të saj përfaqësuese, diplomatëve dhe misioneve të saj nëpër botë, të përfaqësojë dhe të mbrojë interesat e shtetit tonë, si dhe t’i artikulojë qartë dhe drejt pozicionet e Kosovës kundrejt zhvillimeve ndërkombëtare të cilat e prekin në mënyrë direkte apo indirekte interesin e Republikës së Kosovës”, tha tutje ai.

Të ngajshme

Kryesuesi Dehari s’ka njoftim për seancë: Ka deputetë që s’duan marrëveshje, por incidente

Yllka Gashi

Ramadani: Dita e tretë e bllokimit të Kuvendit nga VV, Kosova po humb kohë të çmuar

Yllka Gashi

Kurti: Fuqizimi ushtarak i Serbisë, pjesë e synimeve hegjemoniste ndaj Kosovës

Yllka Gashi