KFOR-i, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, konfirmoi se ka nisur “tranzicionin gradual” të pranisë së përhershme të trupave nga ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
KFOR-i tha në një përgjigje për Gazetën Express konfirmoi raportimet se Policia e Kosovës është lejuar të qëndrojë atje, duke thënë se ky vendim u mor “në përputhje me situatën e sigurisë” në vend dhe si pjesë e “procesit për optimizimin e dislokimit të KFOR-it”.
Ky proces, thotë KFOR-i, do të jetë “gradual” dhe se për këtë “po koordinohet ngushtë me të gjithë aktorët relevantë”.
“Misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO-ja, ka nisur tranzicionin gradual të pranisë së përhershme të KFOR-it nga Ura Kryesore në Mitrovicë. Në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë, kjo është pjesë e procesit për optimizimin e dislokimit të KFOR-it. Ky proces do të jetë gradual, i bazuar në kushte dhe po koordinohet ngushtë me të gjithë aktorët relevantë, përfshirë përfaqësuesit e Institucioneve në Kosovë dhe të organizatave ndërkombëtare, si dhe me përfaqësuesit e Policisë së Kosovës dhe të Misionit të Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX). Shefi i Mbrojtjes i Serbisë, gjenerali Mojsilovic, është informuar rregullisht gjithashtu. Gjeneralmajor Ulutas, Komandanti i misionit të KFOR-it, mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë homologët e tij kryesorë në Institucionet e Kosovës, organizatat ndërkombëtare dhe Forcat e Armatosura të Serbisë”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.
Misioni i NATO-s në Kosovës tha se trupat e KFOR-it janë të pozicionuar mirë “për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi relevant”.
“Personeli ynë është i pozicionuar mirë për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi relevant, në përputhje me mandatin e kahershëm të KFOR-it të bazuar në OKB. KFOR-i do të mbajë një prani të dukshme në Mitrovicën e Jugut dhe të Veriut, si dhe në veriun e Kosovës, duke vazhduar kontributin e tij për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjitha komunitetet”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.
Në fund, KFOR-i rikujtoi, si zakonisht, se po vazhdon “ta përmbushë mandatin e tij, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, duke kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe të lirisë së lëvizjes, në çdo kohë, në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë”.
Më herët sot, KFOR-i tha se ka nisur “integrimin e personelit të Policisë së Kosovës në arkitekturën e sigurisë së KFOR-it, në Manastirin e Deçanit”, gjithashtu.

