Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës ka kërkuar anulimin e menjëhershëm të vendimit për kontrollin e çmimeve të produkteve të naftës, duke e vlerësuar atë si të dëmshëm për bizneset dhe konkurrencën e lirë.
Në një reagim, Shoqata shprehet se vazhdimi i këtyre masave nuk po sjell përfitime reale për konsumatorët, ndërsa po rëndon gjendjen financiare të kompanive të sektorit.
Sipas tyre, vendimi nuk përmbush kriteret e përcaktuara në nenin 15 të Ligjit për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme. Po ashtu, pretendohet se masa është në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ (QRK) nr. 03/2022, i cili përcakton se masa të tilla mund të zbatohen për një periudhë maksimale prej 90 ditësh.
Shoqata thotë se, përveç rritjes së çmimeve në tregun ndërkombëtar, është rritur edhe pagesa që përfundon në buxhetin e shtetit.
“Që nga 3 marsi 2026 deri më sot, konsumatorët kanë paguar në buxhetin e shtetit mesatarisht rreth 7.5 centë për litër më shumë sesa në periudhën para fillimit të konfliktit dhe rritjes së çmimeve të furnizimit”, thuhet në reagim, përcjell Sinjali.
Naftëtarët vlerësojnë se mungesa e politikave mbështetëse dhe e një plani shtetëror për përballimin e krizave energjetike ndërkombëtare ka bërë që barra financiare të vazhdojë të bjerë mbi qytetarët dhe bizneset.
Pavarësisht vështirësive dhe humbjeve financiare, sipas Shoqatës, kompanitë e sektorit të naftës kanë vazhduar të sigurojnë furnizim të rregullt dhe të pandërprerë të tregut.
“Karburantet janë produkte me rëndësi jetike për ekonominë, transportin dhe sigurinë kombëtare”, thuhet më tej.
Shoqata i ka bërë thirrje Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë që ta anulojë vendimin dhe të rikthejë funksionimin e tregut mbi parimet e konkurrencës së lirë.
Në rast se vendimi nuk anulohet, Shoqata paralajmëron se do të shqyrtojë të gjitha mundësitë juridike për adresimin e shkeljeve të pretenduara, përfshirë edhe kërkesën për kompensim të humbjeve të shkaktuara nga këto masa.
Në fund, Shoqata ka shprehur gatishmërinë për dialog institucional, duke kërkuar që vendimet e ardhshme për sektorin e naftës të bazohen në analiza profesionale, ligjshmëri, transparencë dhe konsultim të drejtpërdrejtë me përfaqësuesit e industrisë.

