Telenews

Ky është zyrtari i dyshuar që lëshoi diploma të aftësimit profesional pa zhvilluar trajnimet, e trashi kuletën me 500 mijë euro –

Gazeta Sinjali mëson se personi i arrestuar në Prizren, i dyshuar për shitjen e rreth 1,679 diplomave të aftësimit profesional, është Ibish Çoçaj.

Sipas Prokurorisë Themelore në Prizren dhe Policisë së Kosovës, Çoçaj, pronar dhe person përgjegjës i një qendre për verifikimin e aftësive profesionale, dyshohet se nga viti 2019 e deri më tani ka lëshuar rreth 1,679 diploma për profesione të ndryshme, pa zhvilluar trajnimet përkatëse.

Hetimet dyshojnë se për një diplomë paguheshin rreth 300 euro, ndërsa në dokumente paraqitej se kandidatët kishin përfunduar me sukses trajnimet teorike dhe praktike, edhe pse ato dyshohet se nuk ishin zhvilluar fare.

Në këtë mënyrë, dyshohet se Çoçaj ka përfituar rreth 500 mijë euro.

Diplomat dyshohet se janë përdorur nga persona të ndryshëm për punësim brenda dhe jashtë Kosovës, por edhe për plotësimin e kritereve në procedura të prokurimit.

Gjatë kontrollit të kryer me urdhër të Gjykatës Themelore në Prizren, në bashkëpunim me inspektorët tatimorë, janë sekuestruar 333 diploma, pajisje kompjuterike, USB, vula, telefoni i të dyshuarit, shënime për borxhe e pagesa, si dhe 630 euro para të gatshme.

Prokuroria dyshon se qendra nuk ka qenë e akredituar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve dhe nuk ka pasur autorizim për ofrimin, vlerësimin dhe certifikimin e kualifikimeve profesionale.

Ibish Çoçaj ndodhet në ndalim prej 48 orësh, ndërsa Prokuroria pritet të vendosë për kërkesën për caktimin e masës së mëtejshme.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Të ngajshme

Takimi me Kurtin, Abdixhiku: S’diskutuam për emra specifik për postin e presidentit –

KushtrimGuraj

Aktorja e njohur që vdiq të dielën, ishte e fejuara e boksierit Klitschko

Yllka Gashi

Nis takimi Kurti – Abdixhiku, a do të kemi marrëveshje?

Yllka Gashi