Telenews

Rushiti: S’është diskutuar më emri im për Presidente, po e vazhdoj punën në QKRMT

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti tha se emri i saj nuk është diskutuar më si kandidate potenciale për Presidente të vendit, pasi në fund të prillit nuk u votua për shefe të shtetit si e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Rushiti i tha Gazetës Express se që kur nuk pati konsensus për votimin e saj, ka qenë “plotësisht e qetë” dhe po e vazhdon punën në organizatën që e ka themeluar vetë.

“Jo. Pas atij momenti që kam qenë (kandidate për Presidente), kam qenë plotësisht e qetë dhe po vazhdoj punën time në QKRMT, ashtu siç e kam thënë edhe në konferencën për shtyp që e kam pasë atëherë”, tha ajo.

E pyetur nëse do të ishte e gatshme që të kandidohej sërish për Presidente, Rushiti tha se ajo çështje do të duhej të diskutohej në disa instanca në organizatën që ajo e përfaqëson.

“Kështu, po më vjen keq, nuk flitet, sepse duhet përmes instancave të ndryshme në organizatë të diskutohen ato. Por unë veç po ju tregoj që ai ka qenë qëndrimi im i fundit publik dhe ashtu mbetet”, tha ajo.

Rushiti në prill kishte pranuar të kandidonte për Presidente, me bindjen se ishte “figurë unifikuese” dhe që, siç thoshte, mund ta nxiste “dialogun mes partive politike”.

Në një seancë për zgjedhjen e Presidentit të mbajtur më 27 prill me kërkesë të LVV-së – ku kishin munguar deputetët e partive opozitare – Feride Rushiti kishte marrë 63 vota.

Pasi në mesnatën mes 28 dhe 29 prillit kishte skaduar afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit, Rushiti kishte thënë në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se angazhimi i saj do të vazhdonte në QKRMT.

“Ky kandidim nuk ka qenë ambicie, as aspiratë për pushtet. Ka qenë vetëm një përpjekje e sinqertë, një kontribut për vendin tim, si person jopartiak, që t’i japë mundësi zgjidhjes së ngërçit politik që aktualisht po e kalon vendi”, pati deklaruar ajo.

Ajo e kishte shpallur të përfunduar “rrugëtimin” e saj si kandidate për Presidente, duke uruar zgjidhje pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare që do të mbaheshin më 6 qershor.

“Ky rrugëtim i imi, i cili ka vazhduar dje realisht me qëllimin më të mirë të mundshëm për ta nxjerrë vendin prej kësaj krize aktuale me të cilën po ballafaqohet, përfundon sot me një reflektim të thellë dhe me një përgjegjësi të plotë ndaj vendit, duke uruar që zgjedhjet të sjellin stabilitet institucional në të ardhmen”, kishte deklaruar ajo.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku iu rikthyen takimeve për çështjen e Presidentit. Ata dje zhvilluan takimin e parë që kur LDK-ja hoqi dorë nga bisedimet për t’u përfshirë në bashkëqeverisje me LVV-në dhe nga kërkesa për pozitën e shefit të shtetit.

Pas takimit për të gjetur një emër konsensual jopartiak, ata thanë se kishin diskutuar për profilin potencial që do të duhej ta kishte kreu i ri i shtetit, duke paralajmëruar se në takimin e ardhshëm do të flisnin për emra konkret.

Pas zgjedhjeve parlamentare të 6 qershorit, të cilat erdhën për shkak të moszgjedhjes së Presidentit, ende nuk është konstituuar Kuvendi.

Me kërkesë të Kurtit, seanca konstituive e Kuvendit që nisi më 6 gusht u ndërpre dy herë radhazi. Ai nuk e propozoi kandidatin për kryeparlamentar, siç kërkohet me Kushtetutë, pasi e konsideron të padobishme që të zgjidhet kryeparlamentari dhe nënkryetarët pa një marrëveshje paraprake për zgjedhjen e Presidentit.

Sipas një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese, më 7 gusht në mesnatë ka përfunduar afati për konstituimin e Kuvendit. Megjithatë, kryesuesi i seancës, Avni Dehari – deputeti më i vjetër i Kuvendit që vjen nga LVV-ja – e caktoi për 8 gusht vazhdimin e seancës konstituive, e cila u ndërpre nga ai në po të njëjtën mënyrë si ditën kur nisi.

LVV-ja thotë se nuk do të ketë vazhdim të seancës konstituive pa një marrëveshje paraprake për Presidentin, për zgjedhjen e të cilit është përcaktuar një afat kushtetues 60 ditor, i cili fillon të rrjedhë vetëm pasi të konstituohet Kuvendi.

Të ngajshme

Fluturime pa karburant në të ardhmen? Avioni më i madh elektrik në botë shpenzon vetëm 5 dollarë energji për 27 minuta

Yllka Gashi

Lirimi nga detyrimet doganore për produktet e duhanit, Dogana me njoftim

Yllka Gashi

Studimi: Ndryshimi i klimës i shkaktuar nga njeriu shkakton ngrohje të paprecedentë të deteve

Yllka Gashi