Autoriteti Kombëtar i Mbrojtjes së të Dhënave në Brazil (ANPD) ka gjobitur me rreth 25.57 milionë euro, kompaninë ByteDance, pronare të TikTok-ut.
Sipas ANPD-së, gjoba është vendosur për “parregullsi në përpunimin e të dhënave të fëmijëve dhe adoleshentëve”.
Autoriteti brazilian tha se TikTok nuk kishte arritur të bllokonte në mënyrë të mjaftueshme përdoruesit nën 16 vjeç dhe kishte dështuar në mbrojtjen e të dhënave të tyre personale.
Përveç gjobës, ByteDance është urdhëruar të fshijë të dhënat e mbledhura në mënyrë të parregullt dhe të zbatojë një plan për përmirësimin e mbrojtjes së fëmijëve dhe adoleshentëve në platformë.
TikTok do të duhet të aplikojë automatikisht cilësime më të rrepta të privatësisë për llogaritë e personave nën 16 vjeç, të forcojë sistemet e kontrollit prindëror dhe të vendosë filtra më të fuqishëm për përmbajtjet.
Në versionin e TikTok-ut pa regjistrim, platforma do të duhet të pezullojë reklamat në të gjithë Brazilin, të kufizojë përmbajtjen vetëm në materiale të përshtatshme për të gjitha moshat dhe të reduktojë kohën e përdorimit në 12 orë. Përdoruesit gjithashtu nuk do të mund të publikojnë apo shikojnë transmetime live.
ANPD tha se mekanizmat e përdorur nga TikTok nuk ishin të mjaftueshëm për të parandaluar që në fillim përpunimin e parregullt të të dhënave të fëmijëve dhe adoleshentëve.
Brazili ka ashpërsuar vitet e fundit rregullat për platformat sociale. Një ligj i fundit kërkon që llogaritë e përdoruesve nën 16 vjeç të lidhen me llogaritë e prindërve dhe që mosha e përdoruesve të verifikohet.
Më herët këtë muaj, ANPD urdhëroi edhe platformën Discord të pezullojë transmetimet live dhe video-thirrjet, pas rastit ku një vajzë adoleshente dyshohet se ishte nxitur të vetëvritej gjatë një transmetimi.
Në vitin 2024, Brazili kishte bllokuar për rreth 40 ditë platformën X, derisa kompania e Elon Muskut zbatoi urdhrat e Gjykatës Supreme për largimin e llogarive që përhapnin dezinformata.

