Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj dy mjekëve të Spitalit të Vushtrrisë, të dyshuar për veprën penale “Marrja e ryshfetit”, ndërsa nëntë persona të tjerë akuzohen për “Dhënien e ryshfetit”.
Sipas aktakuzës, të pandehurit Ekrem Sefiu dhe Valdet Rexhepi, në cilësinë e personave zyrtarë, mjekë në Spitalin e Vushtrrisë, dyshohet se kanë kërkuar dhe pranuar drejtpërdrejt para në këmbim të ofrimit të shërbimeve mjekësore.
Prokuroria pretendon se Rexhepi ka kërkuar dhe pranuar para në gjashtë raste, ndërsa Sefiu në tri raste, me qëllim që të vepronin në përputhje me detyrat e tyre zyrtare për trajtimin dhe operimin e pacientëve.
Ndërkohë, nëntë të pandehurit F.V., B.Q., F.Xh., B.G., B.A., K.H., S.N., V.Y. dhe L.K. akuzohen se, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, për vete apo për persona të tjerë, u kanë premtuar, ofruar ose dhënë mjekëve shuma të ndryshme parash.
Sipas Prokurorisë, shumat e dhëna kanë qenë nga 50 deri në 300 euro, ndërsa dyshohet se paratë janë dhënë si shpërblim për operimin e familjarëve të tyre.
Me rastin e ngritjes së aktakuzës, Prokuroria Themelore në Mitrovicë i ka kërkuar gjykatës që të pandehurit t’i shpallë fajtorë për veprat penale për të cilat akuzohen dhe t’i dënojë sipas ligjit.

