Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka paralajmëruar se vonesat në ofrimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën po kushtojnë jetë njerëzore, duke u bërë thirrje vendeve aleate të rrisin mbështetjen për Kievin.
Deklarata e Rutte u bë të martën gjatë takimit virtual të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, ku u diskutuan nevojat urgjente të Kievit për mbrojtje.
“Ndërsa punojmë për modernizimin e aleancës dhe ndërtimin e një Evrope dhe një NATO-je më të fortë, ne duhet të vazhdojmë të mbështesim sigurinë e Ukrainës dhe t’i ndihmojmë ata të mbrohen nga sulmet brutale të Rusisë”, tha Rutte në takimin virtual.
Ai theksoi se vonesat në dërgimin e ndihmës ushtarake kanë pasoja të drejtpërdrejta në terren, duke paralajmëruar për rritjen e numrit të viktimave civile.
“Vonesat thjesht kushtojnë jetë njerëzore”, tha ai, duke shtuar se numri i civilëve të vrarë në sulmet ruse ishte në nivelin më të lartë që nga maji i vitit 2022.
Rutte tha se aleatët kishin premtuar 70 miliardë euro (81 miliardë dollarë) në mbështetje për Ukrainën gjatë Samitit të Ankarasë, por nënvizoi se përmbushja e këtij angazhimi do të kërkojë edhe ndihmë shtesë dypalëshe.
“Kombet duhet të gërmojnë më thellë. Unë besoj se nuk kemi zgjidhje tjetër”, theksoi Rutte.

