Telenews

117 kundërvajtje në trafik para aksidentit fatal, Gashi dënohet me 1 vit e 4 muaj burgim

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 1 vit e 4 muaj burgim Vullnet Gashin, i cili u shpall fajtor për aksidentin me pasoja fatale ku humbi jetën profesori Ferhat Bejtullahu.

Aktgjykimi u shpall të mërkurën nga gjyqtari Driton Berisha.

Përveç dënimit me burgim, gjykata i ka shqiptuar Gashit edhe një dënim plotësues. Atij i është marrë patentëshoferi, ndërsa për katër vjet i ndalohet të pajiset me leje të re për drejtimin e automjeteve.

Rasti kishte ndodhur më 2 dhjetor 2023, në rrugën “Bill Clinton” në Prishtinë. Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e ngritur më 27 shkurt 2024, Gashi po drejtonte automjetin pa patentë-shofer dhe në shiritin e dedikuar për autobusë dhe taksi.

Prokuroria pretendonte se ai nuk e kishte përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës. Në këto rrethana, me pjesën e përparme të automjetit e kishte goditur Ferhat Bejtullahun, i cili ishte duke kaluar rrugën. Si pasojë e plagëve të marra, Bejtullahu kishte vdekur.

Gjatë fjalës përfundimtare, prokurori Ardian Mehmeti kishte kërkuar që Gashit t’i shqiptohej dënim efektiv me burgim. Ai kishte theksuar se deri në kohën e aksidentit, Gashi ishte dënuar 117 herë për kundërvajtje në trafik dhe se në ditën e aksidentit po drejtonte automjetin pa patentëshofer.

Gashi, gjatë shqyrtimit fillestar, ishte deklaruar i pafajshëm.

Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë nuk është i formës së prerë dhe ndaj tij mund të ushtrohet ankesë.

Të ngajshme

“Kosova po pret”, Endrit Thaçi bën thirrje për pjesëmarrje në Marshin për Liri

Yllka Gashi

Villa Bellevue destinacioni ideal për pushim, relaks dhe momente të paharrueshme

Rrezarta Ramaj

Kuvendi njofton, nesër vazhdon seanca konstituive

Yllka Gashi