Telenews

Mbrojtja: Nuk ka prova që Thaçi ka ndërhyrë te dëshmitarët

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, mbrojtësja e Hashim Thaçit, avokatja Sophie Menegon kërkoi që ndaj klientit të saj të merret aktgjykim lirues

Gjatë paraqitjes së argumenteve, avokatja e Thaçit, Sophie Menegon, ka kritikuar provat e paraqitura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), duke pretenduar se ato mbështeten në interpretime të gabuara të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale lidhur me akuzat dhe format e përgjegjësisë.

Mbrojtja ka ngritur shqetësime edhe lidhur me transkriptet e vizitave në qendrën e paraburgimit, duke pretenduar se ato janë përgatitur nga personel i ZPS-së pa një ndarje të mjaftueshme ndërmjet personave përgjegjës për transkriptimin dhe atyre të përfshirë në hetime.

Sipas mbrojtjes, ZPS-ja është mbështetur gjithashtu në disa dokumente që pretendohet se janë printuar nga qendra e paraburgimit, por nuk ka arritur të dëshmojë se ishte vetë Thaçi ai që i kishte printuar ato.

Mbrojtja ka kundërshtuar edhe interpretimin e kontakteve të pretenduara mes disa prej personave të përfshirë në çështje, duke argumentuar se këto kontakte nuk mund të lidhen automatikisht me çështjen “06”, pasi, sipas saj, ekzistonin edhe marrëdhënie të mëparshme profesionale dhe personale mes tyre.

Një nga argumentet kryesore të mbrojtjes ishte se, pavarësisht pretendimeve të ZPS-së për një plan për ndërhyrje ndaj dëshmitarëve, asnjë ndërhyrje e tillë nuk ka ndodhur.

“Pse nuk ka ndodhur kjo ndërhyrje atëherë?”, ka argumentuar mbrojtja, duke i kërkuar trupit gjykues të vlerësojë nëse narrativa e prokurorisë qëndron përballë mungesës së një ndërhyrjeje konkrete.

Sipas mbrojtjes, mungesa e veprimeve konkrete mund të çojë në përfundimin se të akuzuarit nuk kanë pasur synim të ndërhyjnë te dëshmitarët.

Mbrojtja ka kundërshtuar gjithashtu kërkesën e ZPS-së për gjashtë vjet burgim ndaj Thaçit, duke e cilësuar atë si “tërësisht të shpërpjesëtuar” me faktet e pretenduara dhe me praktikën e dënimeve për raste të mosbindjes ndaj gjykatës.

Në vazhdim, mbrojtja pritet të trajtojë në mënyrë të detajuar çështjet e ligjit të zbatueshëm, provat e prokurorisë dhe dënimin e kërkuar nga ZPS-ja.

Avokatja Menegon ka theksuar se për përcaktimin e përgjegjësisë apo mospërgjegjësisë penale të Thaçit duhet të merret parasysh ligji i Kosovës, jurisprudenca vendore, legjislacioni i Dhomave të Specializuara dhe burimet përkatëse akademike.

Mbrojtja ka kërkuar që interpretimi i veprave penale dhe formave të përgjegjësisë nga Dhomat e Specializuara të jetë në përputhje me praktikën e mëparshme gjyqësore në Kosovë dhe me parimin e gjykimit të drejtë.

Të ngajshme

“Kosova po pret”, Endrit Thaçi bën thirrje për pjesëmarrje në Marshin për Liri

Yllka Gashi

Villa Bellevue destinacioni ideal për pushim, relaks dhe momente të paharrueshme

Rrezarta Ramaj

Kuvendi njofton, nesër vazhdon seanca konstituive

Yllka Gashi