Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka deklaruar se do ta nënshkruante një iniciativë për zhbërjen e Gjykatës Speciale, nëse një nismë e tillë do të dërgohej në Kuvend.
Kadrijaj ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke e cilësuar atë të papranueshëm.
Sipas saj, nuk është e drejtë që vendimi i gjykatës të shpallet në emër të popullit të Kosovës.
“Është marre ajo çka ka ndodhur. Është e papranueshme që edhe vendimi të shpallet në emër të popullit të Kosovës. Populli i Kosovës e ka dhënë verdiktin më 12 shtator me tubimin masiv”, ka thënë Kadrijaj.
Ajo e ka quajtur Gjykatën Speciale “puro politike” dhe ka pretenduar se materialet e përdorura në rastet e saj kanë ardhur nga Serbia dhe bashkëpunëtorët e saj.
“Serbia është ajo që ka kryer krime e dhunime. Të dënohen ushtarët tanë, për besë kjo është marre”, është shprehur ajo.
Kadrijaj ka treguar se deri tani nuk kanë marrë ndonjë kërkesë për nënshkrimin e një iniciative të tillë.
Megjithatë, ajo ka thënë se AAK-ja do ta mbështeste një nismë për shpërbërjen e Gjykatës Speciale nëse ajo paraqitet në Kuvend.
“Ende nuk jemi kontaktuar, por që në momentin që kontaktohemi, ne e japim padyshim nënshkrimin. Ne edhe ashtu kemi qenë kundër krijimit të kësaj gjykate. Ne do t’i përgjigjemi pozitivisht një iniciative për shpërbërjen e Speciales në Kuvendin e Kosovës”, ka deklaruar Kadrijaj.

