Venkateswari Alagendra, avokatja kryesore e Jakup Krasniqit, ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, duke paralajmëruar ankesë ndaj vendimit.
Alagendra ka thënë se ekipi mbrojtës është i zhgënjyer me aktgjykimin dhe se do ta analizojë me kujdes arsyetimin e Trupit Gjykues.
“Është tashmë e qartë se do ta apelojmë këtë aktgjykim. Qëndrimi ynë është se rezultati i vetëm i përshtatshëm, bazuar në prova, ishte shpallja i pafajshëm e Jakup Krasniqit për të gjitha akuzat”, ka deklaruar ajo.
Avokatja ka theksuar edhe moshën e Krasniqit, i cili është afër 76 vjeç, duke rikujtuar se ai ka kaluar gati gjashtë vjet në paraburgim në lidhje me këto akuza.
Sipas Alagendrës, gjatë procesit gjyqësor që ka zgjatur më shumë se dy vjet, asnjë dëshmitar nuk ka deklaruar se është keqtrajtuar nga Krasniqi apo në praninë e tij.
Ajo ka shtuar se dëshmitarë ndërkombëtarë, si dhe dëshmitarë të Prokurorisë nga Kosova, e kanë përshkruar Krasniqin si një lider të moderuar dhe demokrat.
“Historia nuk mund të rishkruhet. Mbrojtësit e jetës dhe lirisë, për të cilat UÇK-ja synoi dhe punoi, nuk mund të paraqiten tani si keqbërës të historisë”, ka thënë Alagendra.
Ajo ka deklaruar se Krasniqi është krenar për luftën e tij për Kosovën dhe ka shprehur mirënjohje për popullin e Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme gjatë procesit.
Ekipi mbrojtës, sipas saj, do të shqyrtojë në detaje vendimin dhe mundësitë për apel, si dhe mjetet e tjera juridike në dispozicion.


