Telenews

Lugina shpëtohet me ekonomi, investime dhe punë – AKB dhe bizneset shqiptare bashkojnë forcat në Bujanoc

Zhvillimi ekonomik, investimet dhe krijimi i vendeve të reja të punës ishin në fokus të vizitës së një delegacioni të gjerë të biznesit shqiptar në Komunën e Bujanocit, në kuadër të Edicionit të 4-të të Konferencës “Ekonomia SHPËTON LUGINËN e Preshevës”.

Vizita u organizua në kuadër të aktiviteteve të Unionit të Afaristëve për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, ndërsa delegacioni u udhëhoq nga kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini.

Në delegacion morën pjesë përfaqësues të AKB-së, Unionit të Afaristëve për PBM, Rrjetit Global të Bizneseve, si dhe përfaqësues të bizneseve nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe vende të ndryshme të Bashkimit Evropian.

Gjatë takimeve në Bujanoc u diskutua për mundësitë konkrete të investimeve, bashkëpunimin ndërmjet bizneseve, zhvillimin e ndërmarrjeve dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Në fokus ishte edhe forcimi i lidhjeve ekonomike të Luginës së Preshevës me tregjet e Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe më gjerë.

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, u bëri thirrje bizneseve shqiptare nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora që Bujanocin ta shohin si një hapësirë të përbashkët për investime dhe zhvillim.

“Bujanoci është shtëpia juaj. Secili prej jush që vjen këtu për të investuar, për të hapur një biznes apo për të krijuar vende pune, duhet ta ndiejë veten në shtëpinë e vet. Ne i mirëpresim investimet dhe partneritetin tuaj, sepse vetëm përmes zhvillimit ekonomik dhe vendeve të reja të punës mund ta ndalim migrimin e madh dhe t’u krijojmë të rinjve perspektivë për të jetuar dhe punuar këtu”, u shpreh Pajaziti.

Ndërsa kryetari i AKB-së, Agim Shahini, theksoi nevojën që zhvillimi ekonomik të shoqërohet me hapa konkretë, duke vënë theksin te investimet, kapitali dhe krijimi i vendeve të punës.

“Ekonomia është ura që lidh njerëzit, bizneset dhe tregjet. Lugina e Preshevës duhet të jetë pjesë aktive e zhvillimit ekonomik rajonal. Kur biznesi bashkohet, krijohen mundësi, vende pune dhe perspektivë për të rinjtë”, deklaroi Shahini.

Sipas AKB-së, Kosova, Shqipëria, Lugina e Preshevës dhe Maqedonia e Veriut kanë potencial për forcimin e bashkëpunimit ekonomik përmes investimeve të përbashkëta, tregtisë, prodhimit dhe projekteve ndërkufitare.

Konferenca “Ekonomia SHPËTON LUGINËN e Preshevës” synon të vendosë zhvillimin ekonomik dhe rolin e sektorit privat në qendër të diskutimit për të ardhmen e Luginës së Preshevës.

Organizatorët dhe përfaqësuesit e biznesit theksuan se investimet dhe krijimi i vendeve të reja të punës mund të kontribuojnë në krijimin e perspektivave më të mira ekonomike për të rinjtë dhe në forcimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal.

AKB bëri të ditur se do të vazhdojë të mbështesë nismat që synojnë afrimin e bizneseve shqiptare dhe rajonale, promovimin e investimeve dhe zhvillimin e partneriteteve ekonomike.

Të ngajshme

Votohet Vlora Çitaku për nënkryetare të Kuvendit

Yllka Gashi

Kuvendi miraton deklaratën e propozuar nga PDK për aktgjykimin e Speciales dhe në mbrojtje të UÇK-së

Yllka Gashi

Betohen deputetët e rinj pas emërimit të ministrave në Qeveri

Yllka Gashi