Telenews

Komisioni për Çështje të Sigurisë miraton fushëveprimin, Ramadani kërkon ndryshime

Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes ka mbajtur mbledhje, ku ka miratuar fushëveprimin e këtij komisioni, pavarësisht kërkesës së anëtarit nga Grupi Parlamentar i Aleancës, Burim Ramadani, për ndryshime në këtë pikë.

Fillimisht, kryetari i Komisionit, Mefail Bajqinovci nga radhët e VV-së, ka prezantuar draftin e fushëveprimit të komisionit.

“Fushëveprimi i komisionit lidhur me këtë pikë, ju keni pranuar draftin e fushëveprimit të komisionit, i cili është i përcaktuar me Kushtetutë, legjislacion dhe Rregulloren e Kuvendit. Fushëveprimi i komisionit ka të bëjë me shqyrtimin e projektligjeve të sektorit të sigurisë, dokumentet strategjike dhe raportin e punës, kontrollin dhe mbikëqyrjen demokratike, mbikëqyr zbatimin e ligjeve, raportimet para komisionit, zhvillon dëgjime dhe vizita mbikëqyrëse”, ka thënë Bajqinovci.

Sipas tij, në fushëveprimin e komisionit përfshihen Ministria e Punëve të Brendshme dhe agjencitë e saj, Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, Këshilli i Sigurisë së Kosovës, si dhe Agjencia për Informim dhe Privatësi dhe Agjencia për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar.

Pas prezantimit të draftit, anëtari i komisionit nga radhët e VV-së, Burim Ramadani, ka kërkuar ndryshime në këtë pikë.

“Në përgjithësi janë ato që duhet, mirëpo është mirë me e e sqarue edhe pak pjesën e sigurisë ajrore tek Këshilli i Sigurisë Kombëtare. Edhe tek kapitulli II, pika e katërt ku flitet për “kërkon raporte dhe sipas nevojës”, nuk po e precizojmë këtë fjali, fjala e fundit është “dhe autoritetet e tjera përgjegjëse”, mendoj që është mirë me me e përcaktuar po ashtu që drejtorin e AAC-së edhe të ASHNA-së, vetëm nga aspekti i sigurisë ajrore, pra jo transportit e këto që lidhen me komisionin tjetër. Edhe tek pika e fundit e kapitullit II, që është mbikëqyrja e shërbimeve dhe mekanizmave përgjegjës për kontrollin e hapësirës ajrore të Republikës së Kosovës, të precizohet, se po flitet për AAC-në edhe ASHNA-në, sepse pastaj kjo pjesë mbetet e pambikëqyrur. Pra kur flasim për sigurinë ajrore si pjesë e sigurisë kombëtare, ndërkaq transporti, format e tjera hyjnë tek komisioni që lidhet me këtë”, tha ai.

Megjithatë, komisioni ka proceduar me miratimin e fushëveprimit ashtu siç ishte.

Ndërkaq, pjesa e mbledhjes që lidhej me pikën “Të ndryshme” është zhvilluar pa praninë e mediave.

Të ngajshme

Haradinaj kujton 1 Tetorin 1997: Rinia studentore dhe profesorët u bënë simbol i rezistencës

Rrezarta Ramaj

Mbyllen dy rrugë në Prishtinë para marshit të sotëm

Rrezarta Ramaj

Videot e Adi Hilës, policia zgjeron hetimet: Ftohen për deklarime personat në pamje

Rrezarta Ramaj