Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se është takuar për herë të parë me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Takimi është zhvilluar në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York.
Kurti ka thënë se gjatë takimit e ka falënderuar Trumpin për rritjen e investimeve në fushën e mbrojtjes brenda NATO-s, duke theksuar se Kosova synon anëtarësimin në aleancë.
“E falënderova për ngritjen e valës së investimeve në mbrojtje në NATO, ku edhe Kosova duhet të anëtarësohet”, ka shkruar Kurti.
Ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, duke i cilësuar SHBA-në aleatin kryesor dhe partner të rëndësishëm të Kosovës.

