Telenews

BQK lanson Panelin e Gjelbër, platformë e re për monitorimin dhe analizën e rreziqeve klimatike dhe mjedisore

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka lansuar Panelin e Gjelbër, një platformë interaktive për monitorimin dhe vizualizimin e indikatorëve klimatikë, mjedisorë, makroekonomikë dhe financiarë relevantë për analizën e rreziqeve që lidhen me ndryshimet klimatike dhe tranzicionin drejt një ekonomie më të qëndrueshme.

Paneli është zhvilluar në kuadër të prioriteteve të Planit Strategjik të BQK-së 2024–2028, që ndërlidhen me forcimin e qëndrueshmërisë dhe stabilitetit financiar dhe avancimin e analizës dhe vendimmarrjes së bazuar në të dhëna. Ai përbën një hap të rëndësishëm në zbatimin e Udhërrëfyesit Strategjik për Menaxhimin dhe Mbikëqyrjen e Rreziqeve të Lidhura me Klimën dhe Mjedisin në Sektorin Financiar 2025-2027.

Platforma integron në një panel të vetëm të dhëna relevante nga institucione vendore dhe organizata ndërkombëtare, duke krijuar një burim të centralizuar, të standardizuar dhe lehtësisht të qasshëm për monitorimin dhe analizën e zhvillimeve klimatike, ekonomike dhe financiare.

Paneli është i organizuar në tre dimensione kryesore: mjedisor, makroekonomik dhe financiar. Ai përfshin indikatorë mbi emetimet e gazrave serrë, ekspozimin ndaj rreziqeve fizike klimatike, prodhimin dhe konsumin e energjisë, tranzicionin e gjelbër dhe tregtinë, si dhe ekspozimet e sistemit financiar ndaj sektorëve dhe aktiviteteve ekonomike relevante për rreziqet klimatike dhe mjedisore. Përdoruesit mund të eksplorojnë dhe krahasojnë të dhënat sipas viteve, vendeve dhe kategorive të ndryshme të indikatorëve.

Në veçanti, dimensioni financiar ofron një pasqyrë të ekspozimeve kreditore sipas sektorëve ekonomikë, komunave dhe karakteristikave të tjera relevante. Kjo krijon një bazë për monitorimin më të strukturuar të ndërlidhjeve ndërmjet aktivitetit financiar dhe faktorëve klimatikë e mjedisorë, si dhe për integrimin gradual të këtyre rreziqeve në analizat e stabilitetit financiar, vlerësimet e rrezikut dhe proceset relevante mbikëqyrëse.

Paneli do të mbështesë gjithashtu identifikimin e boshllëqeve në të dhëna, përmirësimin gradual të raportimit dhe zhvillimin e kapaciteteve analitike, duke rritur njëkohësisht transparencën dhe qasjen në informacion për institucionet, industrinë financiare, studiuesit dhe publikun.

Paneli i Gjelbër është zhvilluar nga BQK-ja me mbështetjen e Bankës Botërore, në kuadër të asistencës teknike për forcimin e kapaciteteve për identifikimin, monitorimin dhe analizimin e rreziqeve klimatike dhe mjedisore në sektorin financiar. Institucionet vendore kanë kontribuar gjithashtu përmes ofrimit të të dhënave dhe shkëmbimit të ekspertizës sipas fushave të tyre të përgjegjësisë, për çka BQK shpreh mirënjohjen e saj.

Publikimi i Panelit shoqërohet me dokumentin e metodologjisë dhe metadatave, i cili përmban përkufizimet e indikatorëve, burimet e të dhënave, metodologjinë e llogaritjes dhe frekuencën e përditësimit, duke mbështetur transparencën dhe interpretimin e qëndrueshëm të të dhënave.

Paneli i Gjelbër publikohet në versionin e tij të parë dhe do të avancohet në vazhdimësi. Krahas përditësimit të të dhënave sipas frekuencës së secilit indikator, BQK-ja synon të shtojë indikatorë të rinj dhe të përmirësojë granularitetin, krahasueshmërinë dhe vlerën analitike të Panelit, në përputhje me disponueshmërinë e të dhënave dhe zhvillimet metodologjike.

Lansimi i Panelit të Gjelbër pasqyron angazhimin e BQK-së për stabilitet financiar, transparencë dhe vendimmarrje të bazuar në të dhëna. BQK do të vazhdojë avancimin e kornizës për monitorimin dhe vlerësimin e rreziqeve klimatike dhe mjedisore, përmirësimin e cilësisë së të dhënave dhe zhvillimin e kapaciteteve analitike e mbikëqyrëse, në funksion të ruajtjes së stabilitetit financiar dhe mbështetjes së tranzicionit drejt një ekonomie më të qëndrueshme.

Paneli i Gjelbër është i qasshëm në: https://bqk-kos.org/stabiliteti-financiar/paneli-i-gjelber/

Të ngajshme

Manchester City apelon vendimin: “Klubi është i pafajshëm”

Rrezarta Ramaj

Çitaku i kundërpërgjigjet Haxhiut: UÇK-ja është mbi çdo temë e çdo prioritet

Rrezarta Ramaj

Prokuroria hedh poshtë pretendimet e Komunës së Prishtinës për bllokim të buxhetit

Rrezarta Ramaj