Flamuri shqiptar është rikthyer në majën e Korabit, pasi më herët ishte hequr nga vendi ku ishte vendosur dhe ishte zëvendësuar me flamurin e Maqedonisë së Veriut.
Maja e Korabit, me lartësi prej 2764 metrash, ndodhet në kufirin mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Sipas një njoftimi të publikuar nga Azgan Haklaj, flamuri kuqezi është rikthyer nga një grup studentësh shqiptarë nga Shkupi dhe Tetova, në bashkëpunim me patriotë dibranë nga Maqellara.
Në këtë aksion, sipas deklarimit të grupit, është përfshirë edhe ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani.
Rikthimi i flamurit vjen pas një sërë zhvillimesh në majën e Korabit. Në fund të shtatorit, në rrjetet sociale u publikuan pamje ku shihej flamuri i Maqedonisë së Veriut në vendin ku më herët ishte vendosur simboli shqiptar.
Federata Shqiptare e Alpinizmit dhe Turizmit Malor kishte kërkuar më herët verifikimin e rastit dhe identifikimin e personave përgjegjës për heqjen e flamurit shqiptar.

