Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, ka zhvilluar vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ku është takuar me homologun e tij, ministrin Borçe Serafimovski, zëvendësministrin Albrim Hoxha dhe përfaqësues të institucioneve përgjegjëse për sigurinë ushqimore.
Në kuadër të vizitës, Muja, i shoqëruar nga ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja, dhe drejtoresha e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës, Venera Çerkini, ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit bilateral në sektorin e bujqësisë, rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe lehtësimin e qarkullimit të produkteve bujqësore e ushqimore.
Fokus i veçantë i takimeve ishte bashkëpunimi në fushën e sigurisë ushqimore, përfshirë harmonizimin e procedurave të kontrollit dhe certifikimit, shkëmbimin e informacionit, kontrollet zyrtare në kufi dhe tregun e brendshëm, si dhe gjurmueshmërinë e produkteve.
Ministri Muja theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet dy vendeve për krijimin e kushteve më të favorshme për fermerët dhe bizneset.
“Bashkëpunimi i vazhdueshëm ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut është i rëndësishëm për krijimin e kushteve më të favorshme për fermerët dhe bizneset, zhvillimin e tregtisë së ndërsjellë dhe garantimin e standardeve të larta të sigurisë ushqimore.”
Gjatë takimeve është diskutuar edhe për koordinimin në identifikimin dhe menaxhimin e rreziqeve për shëndetin e konsumatorëve, si dhe për përmirësimin e komunikimit ndërmjet autoriteteve kompetente.
Po ashtu, palët kanë shkëmbyer përvoja lidhur me politikat e mbështetjes së fermerëve, zhvillimin rural, modernizimin e prodhimit bujqësor dhe përafrimin e politikave sektoriale me Politikën e Përbashkët Bujqësore të Bashkimit Evropian.
Muja ka vlerësuar se forcimi i bashkëpunimit institucional dhe rajonal kontribuon në zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit bujqësor dhe rritjen e konkurrueshmërisë së prodhuesve.
“Synimi ynë është që përmes bashkëpunimit rajonal dhe përafrimit me standardet e Bashkimit Evropian të krijojmë më shumë mundësi për fermerët, të lehtësojmë qarkullimin e produkteve dhe të garantojmë standarde të larta të sigurisë ushqimore.”
Vizita zyrtare në Maqedoninë e Veriut synon forcimin e komunikimit institucional dhe bashkëpunimit rajonal, me fokus në zhvillimin e sektorit bujqësor, rritjen e konkurrueshmërisë së prodhuesve dhe avancimin e integrimit evropian.

