Sulmuesi kosovar Fisnik Asllani ka përjetuar një mbrëmje të paharrueshme në Bundesligë, duke realizuar golin e tij të parë për këtë sezon në kampionatin gjerman, në fitoren e Hoffenheimit ndaj Schalke 04, me rezultat 2-1.
Ylli i Kombëtares së Kosovës e zhbllokoi rezultatin që në minutën e 10-të, pas një presioni të vazhdueshëm ndaj portierit kundërshtar, Loris Karius, i cili gaboi në momentin e daljes me topin. Asllani arriti të ndërhyjë, ndërsa topi përfundoi mbi portierin dhe në rrjetë.
Pas përfundimit të ndeshjes, 24-vjeçari foli për golin e realizuar, duke pranuar se kishte pasur edhe pak fat, por theksoi se gjithçka erdhi si rezultat i lëvizjes dhe presionit të tij në momentin e duhur.
“Pati pak fat që topi përfundoi në rrjetë në atë mënyrë, kjo është e vërtetë. Por nuk ishte vetëm fat, sepse unë bëra atë vrapim. Vetëm në atë mënyrë mund të shënohej goli. Nëse nuk do ta bëja atë lëvizje, goli nuk do të realizohej”, deklaroi Asllani.
Fitorja ndaj Schalkes erdhi në një periudhë mjaft të ngarkuar për Hoffenheimin, që kishte zhvilluar nëntë ndeshje brenda vetëm 29 ditësh. Për këtë arsye, lodhja fizike dhe mungesat në skuadër kishin ndikuar në përgatitjen dhe paraqitjet e ekipit.
Vetë Asllani pranoi se ritmi i ndeshjeve kishte qenë shumë intensiv, sidomos për shkak të numrit të kufizuar të futbollistëve në dispozicion.
“Kur luan katër javë rresht me ndeshje edhe gjatë mesjavës, është një ngarkesë shumë e madhe. Ndoshta sot na mungoi ajo cilësi shtesë ndaj Schalkes, sidomos kur ke edhe mungesa. Kohët e fundit dukej sikur të njëjtët 12 apo 13 lojtarë ishin gjithmonë në formacionin titullar”, u shpreh reprezentuesi kosovar.
Megjithatë, sulmuesi tregoi se preferon një kalendar të ngjeshur, pasi dëshiron të jetë sa më shumë në fushën e lojës.
“Unë jam dikush që e pëlqen këtë. Preferoj të luaj, asgjë nuk është më e mirë sesa të kesh ndeshje çdo disa ditë. Më mirë kështu sesa të stërvitem”, tha ai.
Por, goli ndaj Schalkes kishte një domethënie edhe më të veçantë për Asllanin. Sulmuesi zbuloi se realizimi i tij i parë sezonal në Bundesligë përkoi me ditëlindjen e babait, të cilit vendosi t’ia dedikojë këtë moment të veçantë.
“Golat gjithmonë më japin një ndjenjë të veçantë, është gjithmonë diçka shumë e bukur. Por sot është edhe ditëlindja e babait tim. Kjo ishte praktikisht dhurata ime për të. Goli im i parë në Bundesligë këtë sezon, nuk mund të shkruaja një histori më të bukur se kjo”, përfundoi Asllani.

