Ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli, ka njoftuar për refuzimin e projektit “Ulpiana 2030 Legacy” të Kuvendit Komunal të Prishtinës.
Në një shkrim në Facebook, Pacolli ka thënë se gjatë hartimit dhe miratimit të projektit janë shpërfillur baza ligjore, procedurat dhe dokumentet e planifikimit hapësinor në fuqi.
“PROJEKTI PËR LAGJEN ULPIANA NUK KALON! Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, pas shqyrtimit të kërkesës së Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) për vlerësimin e ligjshmërisë së projektit “Ulpiana 2030 Legacy” të Kuvendit të Komunës së Prishtinës, ka nxjerrë sot zyrtarisht vendim për refuzimin e tij. Projekti i Përparim Ramës për ta betonizuar njërën nga lagjet më ikonike të Prishtinës, Ulpianën, nuk kalon. Gjatë hartimit dhe miratimit të tij janë shpërfillur baza ligjore, procedurat dhe dokumentet e planifikimit hapësinor në fuqi. Hapësirat publike nuk janë pronë private e kryetarit që t’i trajtojë si plaçkë përmes projekteve të improvizuara dhe vendimeve të jashtëligjshme”, ka shkruar ajo.
Sipas ministres, projekti nuk mbështetet në Ligjin për Planifikimin Hapësinor dhe as në dokumentet e planifikimit hapësinor në fuqi të Komunës së Prishtinës; vendimi nuk ka bazë ligjore në dokumentet e planifikimit hapësinor të nivelit lokal në fuqi; destinimi është përcaktuar pa u dëshmuar se përputhet me shfrytëzimin e lejuar sipas dokumenteve të planifikimit hapësinor të Prishtinës; parametrat urbanë janë caktuar përmes një vendimi për caktimin e lokacionit, ndonëse ata duhet të përcaktohen vetëm me dokumentet përkatëse të planifikimit hapësinor të komunës; shfrytëzueshmëria e parcelës, si dhe kushtet zhvillimore, ndërtimore e të lokacionit, duhet të jenë në përputhje me dokumentet e planifikimit hapësinor në fuqi, e jo të përcaktohen përmes vendimeve të veçanta; dhe vendimi nuk mund të lejojë destinim apo shfrytëzim tjetër të parcelës nga ai që është përcaktuar në dokumentet tekstuale dhe grafike në fuqi të Komunës së Prishtinës.
Më 6 nëntor, Kuvendi Komunal i Prishtinës caktoi lokacionin për ndërtimin e një objekti të ri dhe një parkingu nëntokësor te “Fontana” në Ulpianë. Arsyetimi i Komunës qe se kjo po bëhet në kuadër të përgatitjes për Lojërat Mesdhetare, mirëpo nga Ministria e Rinisë dhe Sportit kanë theksuar se një projekt i tillë nuk është i paraparë për këtë ngjarje që më 2030 do të mbahet në Prishtinë.

