Legjenda braziliane, Pele, përmes një postimi i ka bërë thirrje presidentit rus, Vladimir Putin, që ta ndalojë luftën në Ukrainë.
Pele tha se nuk ka asnjë justifikim për dhunën dhe vrasjet e njerëzve në Ukrainë, teksa pushtimin e cilësoi si të poshtër.
“Sot Ukraina po kërkon që të harrojë të paktën për 90 minuta dramën që ka përfshirë vendin e saj. Prandaj, dua të përfitoj nga fitorja e tyre në Skoci për të bërë një kërkesë direkte, të ndalohet pushtimi. Nuk ka absolutisht asgjë që të justifikojë këtë dhunë të vazhdueshme. Ky konflikt është i poshtër, i pajustifikueshëm dhe sjell vetëm dhimbje, frikë, terror e ankth”, i ka thënë Pele, presidentit rus Putin.
Tutje, ai në letrën e tij i është drejtuar Putinit se luftërat ekzistojnë veç për t’i ndarë kombet dhe se s’ka ideologji të justifikueshme që plumbat t’i varrosin ëndrrat e fëmijëve, të ndajnë familjet e t’i vrasin të pafajshmit.
“Fuqia për të ndalur këtë konflikt është në duart e tua, në të njëjtën që shtrënguam aq përzemërsisht në Moskë, në takimin tonë të fundit në vitin 2017”, ka shkruar Pele.
Kujtojmë se menjëherë pas fillimit të pushtimit rus në Ukrainë, kombëtarja e Rusisë është përjashtuar nga pjesëmarrja në Kampionatin Botëror, atë Evropian dhe çdo garë tjetër.

