Përderisa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ftoi pjesëtarët e komunitetit serb që t’i përgjigjen procesit të ri regjistrimit të veturave me targa RKS (Republika e Kosovës), sytë e tyre janë drejtuar nga Beogradi zyrtar, raporton Radio Evropa e Lirë
Me 29 qershor, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike në të cilën ka miratuar vendimin për të mundësuar regjistrimin e automjeteve me targa RKS për të gjitha automjetet e pajisura me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, si dhe vendimin për kalimin e kufirit shtetëror nga qytetarët me dokumente personale të lëshuara nga autoritetet e Serbisë.
Heqja e këtyre tabelave ishte paraparë në Marrëveshjen për lirinë e lëvizjes, të cilën Kosova dhe Serbia e arritën në vitin 2011, por ajo nuk u zbatua asnjëherë në veri të Kosovës. Prishtina zyrtare deri vitin e kaluar ka toleruar përdorimin e targave KM, edhe pse i konsideronte të paligjshme
Vlerësohet se në veri të Kosovës janë rreth 10,000 vetura me targa KM, të cilat janë lëshuar nga Zyra serbe e Policisë për Mitrovicën, me seli në Rashkë, qytet në Serbi.
Gjatë ditës së djeshme, Kryeministri Albin Kurti, u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës të cilët nuk i kanë të regjistruara veturat e tyre me targat RKS, që ta bëjnë atë sa më shpejt.
“Thirrje qytetarëve të Republikës që targat ilegale t’i shndërrojnë në ato RKS me qëllim të vendosjes së ligjshmërisë.”, ka shkruar Kurti në mbishkrimin e videos.
I pari i Qeverisë, përmes një video-adresimi në “Facebook”, ka thënë se veturat që do të regjistrohen, nuk do të kenë nevojë të hyjnë nëpër procedura të doganës dhe nuk do të kërkohet kontrollimi teknik gjatë regjistrimit të parë.

