Ish i dërguari special i presidentit amerikan, Richard Grenell, ka thënë sot se ka dy probleme sa i përket dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Sipas Grenellit, një problem është qeveria e Albin Kurtit, ndërsa tjetri është fakti se dialogu udhëhiqet nga evropianët.
Në një ligjëratë me temën “Amerika, Ballkani dhe Evropa”, në Fakultetin e Shkencave Politike të Beogradit, Grenell tha gjithashtu se Marrëveshja e Uashingtonit e nënshkruar në vitin 2020 nuk vlen, sepse administrata e Joseph Biden ia dorëzoi fatin asaj marrëveshjeje për Bashkimin Evropian, si dhe për Kurtin, i cili e kundërshton atë dokument dhe shtoi se shpresonte të mund t’i bindte evropianët që të fokusoheshin në bashkëpunimin ekonomik, por, siç thotë ai, si amerikan, ai ishte i frustruar nga Proceset evropiane, të cilat karakterizohen nga “shumë fjalë dhe pak veprime”.
“Evropa dëshiron të ketë një industri politike që përfshin shumë takime dhe dokumente. Unë mora pjesë në disa nga ato takime, pas të cilave pyeta veten – çfarë kemi bërë. Mendoj se ato takime janë vetëm humbje kohe,” tha Grenell.
Ai theksoi se lidershipi amerikan është vendimtar, por se atë nuk e sheh në çështjet e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por vetëm në transferimin e tij në BE, raporton KosovOnline.
Grenell tha se do të dëshironte të shihte marrëdhënie më të forta midis SHBA-së dhe Serbisë, më të forta se marrëdhëniet midis Rusisë dhe Kinës me Serbinë, por, thotë ai, investitorët amerikanë hezituan.
Ai shpjegoi se problemi është se Ballkani njihet si territor konfliktesh dhe detyra e tij, thotë ai, ishte t’u tregojë qeverive evropiane dhe SHBA-së se nuk është tamam kështu.
“Kjo është arsyeja pse unë besoj se ushtarët amerikanë duhet të tërhiqen nga KFOR-i, se ne nuk duhet të kemi ushtarët tanë në Kosovë, dekada pas përfundimit të konfliktit”, tha Grenell.
Ai tha se forcat e NATO-s në Kosovë po u tregojnë kompanive se ka konflikt dhe se nuk duhet të investojnë, gjë që nuk është e mirë për rajonin dhe zhvillimin e tij ekonomik.

