Policia e Kosovës ka gjobitur një qytetar nga qyteti i Gjakovës pasi që në zonën ku shpejtësia e lejuar ishte 50 km/h ai kishte zhvilluar shpejtësi 158 km/h.
“Me datën 16 korrik 2022, në ora 21:15 gjatë realizmit të detyrave dhe kontrollit të trafikut në rrugën “Gasper Karaqi” në Gjakovë (rruga Gjakovë-Prizren), Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor në Gjakovë, me anë të laserit për matjen e shpejtësisë ka identifikuar një automjet i cili në segmentin e rrugës ku kufizimi i shpejtësisë është 50 km/h, ishte duke lëvizur me shpejtësi prej 158 km/h”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Për shkak të shkeljeve të rregullave të komunikacionit rrugor e po ashtu bazuar në dispozitat e Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor, ndaj drejtuesit të mjetit është shqiptuar gjoba prej 500 euro, 5 pikë negative si dhe masa mbrojtëse-ndalimi i drejtimit të automjetit në territorin e Republikës së Kosovës për një (1) vit.


