Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci gjatë ditës së sotme ka zhvilluar një takim me përfaqësues të grupit të fëmijëve, Respect Our Right (RoR) dhe të organizatës Kosovar Youth Council (KYC).
Pas takimit, Nagavci është shprehur se nevojat e fëmijëve dhe të rinjve tanë në arsim, nuk mund t’i artikulojë askush më mirë se vet ata.
“Nevojat e fëmijëve dhe të rinjve tanë në arsim, nuk mund t’i artikulojë askush më mirë se vet ata. Kisha kënaqësinë që të pres sot në takim përfaqësues të grupit të fëmijëve, Respect Our Right (RoR) dhe të organizatës Kosovar Youth Council (KYC).I dëgjova me vëmendje kërkesat e tyre që kishin të bëjnë me mirëqenien dhe ofrimin e arsimit cilësor për ta dhe të gjithë nxënësit e Kosovës, ndërsa biseduam edhe për punën që na pret për të zbutur dëmet e shkaktuara nga pandemia në procesin e mësimnxënies”, ka shkruar Nagavci.
Nagavci ka treguar edhe për kërkesat të cilat i kanë adresuar grupi i fëmijëve nga ROR.
“Vlerësimi i performancës së mësimdhënësve dhe drejtorëve të shkollave, siguria në shkolla, gjithëpërfshirja dhe përkrahja financiare për nxënësit e sukseshëm dhe për ata me nevoja të veçanta, njohja e punës vullnetare në arsimin e lartë, rritja e numrit të inspektorëve dhe pedagogëve e psikologëve në shkolla, ishin disa nga kërkesat e tyre”, ka shtuar më tutje Nagavci.
Ne në Ministri do të jemi gjithmonë të gatshëm për bashkëpunim me organizata si RoR dhe KYC, në mënyrë që së bashku ta ngrisim cilësinë në arsim dhe të avancojmë të drejtat e garantuara të fëmijëve, është shprehur më tutje Nagavci./

