Eksperti amerikan për Ballkanin, Edward P. Joseph në intervistë për DW shprehet, se nisma “Open Balkan” minon “Procesin e Berlinit” dhe i jep më shumë fuqi ekonomike dhe politike Serbisë.
Ambiciet nacionaliste serbe janë shqetësuese, thotë ai.
DW: Z.Joseph, ju keni një eksperiencë të gjatë pune në vendet e Ballkanit Perëndimor. Si e konsideroni nismën “Open Balkan”?.
Edward P. Joseph: Pyetja juaj vjen në kohën e duhur. Anëtarët e Senatit të SHBA-së sapo kanë prezantuar legjislacionin për Ballkanin, që përfshin propozimin për “vlerësimin e nismave bashkëpunuese rajonale, siç janë nisma “Open Ballkan” dhe “Tregu i Përbashkët Rajonal i Ballkanit Perëndimor”. Rreziqet e “Open Ballkan” nuk janë kuptuar mirë, edhe pse ato janë të qarta për shumë njerëz në Ballkan. Po, unë kam shërbyer për rreth 12 vite në rajon, duke përfshirë vitet e luftës në të gjitha vendet e konflikteve. Si shumë të tjerë në rajon, unë vërej dinamikë e zhvillime, veçanërisht në diskursin e nacionalizmit të “Serbisë së Madhe”, të çuar përpara nga presidenti Aleksandar Vuçiç dhe të deleguarit e tij, nën flamurin “Bota Serbe”. Nisma “Open Balkan” (ose “Open Balkans”) nuk është vetëm një shpërqëndrim nga problemet thelbësore të rajonit – të cilat janë politike – por në fakt është një rrezik që mund të çojë në përkeqësimin e këtyre problemeve politike. Problemet e “Open Balkan(s)” mund t’i përmbledhim në këtë formë: “teori e dyshimtë, strukturë naive dhe pasoja të rrezikshme”.
Po nis me teorinë e pretenduar për “Open Balkan”: “Tregtia është e barabartë me besimin”. Kështu e përshkruaj unë. Fatkeqësisht, kjo teori bie ndesh me realitetin. Mjafton të shikoni agresionin e tërbuar rus ndaj Ukrainës. Deri më 24 shkurt, Rusia dhe Ukraina kishin një bashkëpunim gjigant tregtar, me vlerë afro 10 miliardë dollarë në eksport-importe. Ndërkohë që flasim, Kina po dirigjon manovra agresive ushtarake ndaj Tajvanit, një vendi që eksporton mallra në vlerë rreth 273 miliardë dollarë drejt Kinës, ku përfshihen edhe gjysmëpërçuesit elektrikë. Kina është partneri tregtar nr.1 i Tajvanit, duke mbizotëruar 1/3 e ekonomisë vendase.
Sipas teorisë së “Open Balkan(s)”, të gjithë këto vende duhet të ishin në paqe. Përkundrazi, ata ose janë në luftë, ose në hapat drejt një lufte. Mbështetësit e “Open Balkans” duhen pyetur për të dhënë një shpjegim rreth kësaj logjike.

