Njëri prej futbollistëve kryesorë te Ballkani, pa asnjë dyshim është Armend Thaçi i cili me skuadrën nga Theranda, para pak muajve e fitoi titullin e parë në histori të klubit.
Thaçi me të drejtë llogaritet si futbollisti më i mirë në vitet e fundit në futbollin kosovar, kjo për faktin se sukseset dhe profesionalizmi i dëshmojnë qartë kualitetet e tij, shkruan Telenews.al
Ballkani sivjet përpos shkrimit të historisë së klubit therandas e shkuajti edhe historinë moderne të futbollit kosovar me inkuadrimin në fazën grupore të një gare ndërkombëtare prestigjioze si Conference League.
Në një prononcim ekskluziv për Telenews.al nga Praga, atje ku Ballkani nesër do ta zhvillojë ndeshjen e dytë të fazës grupore ndaj Slavia Pragës, Thaçi tregoi për atmosferën në ekip, synimet e skuadrës në Evropë, por dha përgjigjje edhe rreth të ardhmes së tij.
”Atmosfera në ekipin e Ballkanit është e mirë dhe mendoj që grupi homogjen i lojtarëve është i gatshëm për ndeshjen e nesërme që na pret. Normalisht do të jetë e vështirë ndaj një kundërshtari si Slavia, por ne hyjmë në fushë që të japim më të mirën dhe të dalim faqebardhë”, thotë Thaçi.

Për shumë kë, rezultatet e Ballkanit në Evropë sivjet ishin befasi, por çfarë thotë Armendi? Ai tregon synimet e skuadrës në garat ndërkombëtare dhe vendore.
”Nuk mund të them se jemi befasi, pasiqë puna gjithmonë e sjell suksesin, ne kemi punuar shumë dhe ja ku jemi. Në Evropë deri më tash jemi paraqitur në mënyrë fantastike, tregojnë edhe rezultatet ku jemi dhe asnjë nuk është që jemi ngopur apo kënaqur me kaq, kemi edhe 5 ndeshje në fazë të grupeve ku synojmë të paraqitemi sa më mirë dhe jo vetëm të marrim pjesë, mirëpo të fitojmë edhe pikë gjatë ndeshjeve. Ndërsa në futbollin vendor, dihet synimi jonë kryesor është që ta mbrojmë, atë qe e kemi fituar dhe që jemi kampion me meritë”, potencon Thaçi.
Ish-futbollisti i KEK-ut, Prishtinës dhe Gjilanit, por edhe anëtari i Përfaqësueses së Kosovës, krejt në fund për Telenews.al e sqaroi edhe të ardhmen e tij.
”Unë aktualisht jam futbollist i Ballkanit me kontratë dy vjeçare. Për momentin jam i fokusuar në ndeshjet në Evropë dhe në Superligë, pastaj çka sjell afati kalimtar i janarit, nuk mund ta dimë asnjëri prej nesh. Sigurisht që mbetet të shihet edhe kjo gjë. Sigurisht që duhet të jemi gati për çdo gjë”, duke e lënë të hapur mundësinë e largimit nga portokallinjët.
/Telenews.al/

