Federata Turke e Futbollit ka vendosur të shkarkojë Vincenzo Montellan nga detyra e trajnerit të ekipit kombëtar të Turqisë, pas dy humbjeve të fundit kundër Italisë në Ligën e Kombeve dhe një paraqitjeje modeste në Kupën e Botës, ku ekipi kombëtar turk u kualifikua, por nuk arriti të avanconte përtej raundit të parë.
Media të ndryshme turke raportuan vendimin. “Është marrë vendimi për të shkarkuar trajnerin e ekipit kombëtar Vincenzo Montella”, raporton gazeta turke Milliyet, duke shtuar se “drejtimi i TFF-së (Federatës Turke të Futbollit) do t’i paguajë trajnerit italian – i cili fiton një pagë mujore prej 183,000 eurosh – një paketë kompensimi ekuivalente me pesë muaj pagë, duke i dhënë fund kështu marrëdhënies së tij të punës”.
Nuk ka pasur konfirmim zyrtar në lidhje me shkarkimin deri në këtë kohë.
Ka qenë pikërisht Montella me Turqinë ai që i “vodhi” Kosovës ëndrrën e madhe, kualifikim në Botëror, duke na mposhtur 1-0 në “Fadil Vokrri” në një ndeshje të barabartë.
Montella u emërua trajner i Turqisë në vitin 2023. Duke përfshirë ndeshjet garuese dhe miqësore, ai e drejtoi ekipin në 40 ndeshje, duke grumbulluar 21 fitore, 14 humbje dhe 5 barazime.
Në shtatë ndeshjet e tyre të fundit, duke përfshirë Kupën e Botës dhe Ligën e Kombeve, ekipi ka fituar vetëm një ndeshje dhe ka humbur gjashtë.

