Telenews

Çitaku: Kosova tani ka ligj që mbron UÇK-në, kjo fitore u dedikohet çlirimtarëve

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së dhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar pas miratimit të mbrëmshëm të Ligjit për Specialen dhe zgjedhjes së Justina Shiroka-Pulës presidente të Kosovës.

Çitaku ka thënë se me këto dy vendime, Kuvendi i Kosovës ka “nderuar UÇK-në, vetveten dhe shtetin”.

“Mbrëmë, me dy vendime, Kuvendi i Kosovës nderoi UÇK-në, vetveten dhe shtetin”, ka shkruar Çitaku.

Ajo ka theksuar se Kosova tashmë ka një ligj që mbron UÇK-në, ndërsa ka uruar edhe presidenten e re, Justina Shiroka-Pulën, me të cilën, siç ka thënë, e lidhin vite bashkëpunimi dhe miqësie.

“Sot, Kosova ka një ligj që mbron Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe një Presidente të re, Justina Shiroka Pula – një zonjë të dashur e të nderuar, me të cilën na lidhin shumë vite bashkëpunimi dhe miqësie”, ka deklaruar ajo.

Sipas Çitakut, në këtë proces ka triumfuar edhe zëri i qytetarëve, i cili, sipas saj, u shndërrua në obligim për institucionet.

“Mbrëmë fitoi edhe zëri i qytetarëve. Zëri që nuk u ndal dhe që u bë obligim për institucionet”, ka shkruar Çitaku.

Ajo ka thënë se UÇK-ja i ka bashkuar sërish qytetarët dhe ka bërë thirrje që ky unitet të vazhdojë deri në drejtësi dhe liri për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

“UÇK-ja na bashkoi sërish. Le të na mbajë të bashkuar rreth historisë së lavdishme të vendit tonë, deri në drejtësi dhe liri për çlirimtarët”, ka thënë Çitaku.

Çitaku e ka cilësuar miratimin e ligjit si një kthesë të rëndësishme dhe të shumëpritur, duke kërkuar që angazhimi institucional të vazhdojë edhe në mbështetje të procesit të apelit në Dhomat e Specializuara.

“Kjo është një kthesë e rëndësishme, e shumëpritur dhe e nevojshme. Tani, angazhimi ynë duhet të vazhdojë me të gjitha kapacitetet e shtetit, në mbështetje të betejës për drejtësi në apel”, ka shkruar ajo.

Në fund, Çitaku ka thënë se këtë fitore ia dedikon ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli dhe ish-pjesëtarëve të UÇK-së, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.

“Kjo fitore e shtetit të Kosovës u dedikohet Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Një mesazh për ta: Kosova është pranë jush”, ka shkruar Çitaku.

Të ngajshme

Turqia vendos ta shkarkojë trajnerin, italianin që i “vodhi” ëndrrën Kosovës

Rrezarta Ramaj

Bashkimi Evropian reagon pas zgjedhjes së presidentes së Kosovës

Rrezarta Ramaj

Ceremonia e inaugurimit të presidentes së Kosovës, Justina Shiroka-Pula mbahet në orën 15:00

Rrezarta Ramaj