Klubit të Prishtinës i është zbutur dënimi, nga dy ndeshje pa tifozë, në një lojë pa tifozë.
Kjo do të thotë se kryeqytetasit ndeshjen e ardhshme do ta zhvillojnë në stadiumin “Fadil Vokrri”, me prani të shikuesve, derisa masa tjetër e dënimit me gjobë prej 1200 euro mbetet në fuqi.
Kështu ka vendosur Komisioni për Ankesa, në mbledhjen e mbajtur gjatë ditës së sotme.
“Komisioni për Ankesa – shkalla e dytë në mbledhjen e mbajtur më datë 23.09.2022 pas shqyrtimit të të gjitha shkresave, argumenteve dhe provave shtesë të ofruara ndryshoj pjesërisht vendimin e datë 13.09.2022 , me ç’rast duke u thirrur në nenin 119 pika C të Rregullores Disiplinore ndaj FC “ Prishtina” , merret masë lehtësuese zhvillimin e vetëm një ndeshje pa shikues dhe jashtë Prishtinës. Bazuar në këtë vendim FC “ Prishtina “ ndeshjen e radhës do ta zhvilloj në stadiumin “ Fadil Vokrri” dhe me prani të shikuesëve. Masa tjetër e denimit me gjobë prej 1200 eruro mbetet në fuqi”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, Prishtina pas incidentit që kishte ndodhur në ndeshjen ndaj Ballkanit, ishte dënuar me dy ndeshje pa praninë e tifozëve dhe 1200 euro gjobë.

