Telenews

Më i larti në historinë e Kosovës: Buxheti për FSK-në për vitin e ardhshëm pritet të jetë kaq milionë euro

Buxheti për Forcën e Sigurisë së Kosovës për vitin e ardhshëm pritet të jetë 123 milionë euro. Ish komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati, thekson se këto mjete duhet të shpenzohen për blerjen e mjeteve ushtarake si dhe për kapacitete njerëzore. Kastrati për Radio Kosovën thotë se situata e sigurisë në Ballkanin Perëndimor ka ndryshuar. Prandaj, edhe buxheti prej 123 milionë eurosh nuk mjafton për blerjen e armatimit.

Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për buxhetin e vitit 2023, i cili pritet të jetë 3 miliardë e 212 milionë euro.

Nga ky buxhet, 123 milionë janë ndarë për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ministrinë e Mbrojtjes.

Ish udhëheqësi i FSK-ës, gjeneral Kadri Kastrati, thotë se këto para, nuk mjaftojnë për blerje të armatimit duke pasur parasysh ngritjen e çmimeve të çelikut dhe materialeve të tjera që përdorën për prodhimin e armëve.

“Mendoj që këto para, nuk janë të mjaftueshme. E tash, Qeveria duhet të mendojë edhe për forcat ajrore siç janë helikopterët. Duhet të mendojë edhe për pajisjet e tjera individuale dhe kolektive që janë shumë të kushtueshme. Edhe ato armë që ka tani FSK-ja, janë të vjetruara. Mendoj që Qeveria do të duhej t`i ndajë mbi 200 milionë euro ose të rrisë 1.7 për qind të bruto produktit vendor”, tha ai

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, njëherësh edhe anëtar i Komisionit Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Hisen Berisha, thotë se blerja e armatimit, trajnimet, shkollimet dhe planifikimet e tjera të furnizimit dhe e gjithë struktura brenda forcës, janë në planin gjithëpërfshirës.

“Nëse flitet tash për blerje armatimesh e për kalim dhe tejkalim të projektit dhe planit atëherë është jo reale, ai plan mund të ndryshohet vetëm me ndihmën teknike të SHBA-së”, tha ai.

Ndërkaq, deputeti Enver Dugolli thotë se buxheti i tanishëm prej 123 milionë eurosh, që sipas planit gjithëpërfshirës të Tranzicionit të FSK-së, do të duhej të arrihet në vitin 2028.

“Kemi arritur shumë në këtë fazë dhe besoj që kjo do ta përshpejtojë procesin e kompletimit të pajisjeve, trajnimeve, blerjeve ushtarake, infrastrukturën, akomodimin dhe kompletimin sa më të shpejtë të planit gjithëpërfshirës të tranzicionit”, tha ai.

Me qëllim që t’i ndihmohet FSK-së, në mars të këtij viti Qeveria formoi Fondin e Sigurisë, në të cilin qytetarët mund të kontribuojnë me të holla.

Të ngajshme

12 të arrestuar në Greqi, mes tyre edhe shqiptarë

Valjeta Turkaj

Kosova rriti importin nga Serbia mbi 100 për qind

Valjeta Turkaj

Berisha: Vota ime nuk është e determinuar nga askush, as nga opozita – duhet të reflektojmë të gjithë

Erzana Fazliu