Në një komunikatë për media lidhur me këtë seancë, Qeveria e Serbisë të enjten iu referua Kosovës ashtu siç duhet: Republika e Kosovës.
Ndërsa komunikata fliste për planin disapikësh që presidenti serb, Aleksandar Vuçiq e kishte prezantuar në parlament, te pika e dytë thuhet se Asociacioni duhet të jetë kornizë ligjore dhe fizike për të drejtat e serbëve në Republikën e Kosovës. Po, në Republikën e Kosovës.
“Pika 2: Këmbëngulja në formimin e Asociacionit, i cili duhet të jetë kornizë ligjore dhe fizike për të drejtat e popullit tonë dhe organizimin e tyre në Republikën e Kosovës, me mbështetjen e Serbisë, të cilën askush nuk duhet ta pengojë”, thuhet ndër tjerash në komunikatën e qeverisë serbe.
Ish-kryediplomati serb, Vuk Jeremiq e ka vërejtur këtë dhe e ka publikuar në Twitter një pjesë të komunikatës së Qeverisë së Serbisë.
“Ata janë ose tradhtarë ose injorantë. Ose të dyja”, shkroi Jeremiq.

