Lëvizja Vetëvendosje ka bërë një video-përmbledhje me akuza ndaj LDK-së për çështje ekonomike.
Në këtë video, VV-ja thotë se vetëm për ekonomi, LDK-ja ka pothuajse të gjithë katedrën e kësaj fushe në Universitetin e Prishtinës, ndërsa shton se asnjë propozim i bazuar nuk është dhënë nga ta në këto dy vite qeverisje.
“Lidhja Demokratike e Kosovës mburret me akademikët e saj. Për profesorët e doktorët në universitete publike dhe private. Vetëm për ekonomi, ajo ka pothuajse të gjithë katedrën e kësaj fushe në UP. Por, cilat alternativat e tyre për ekonomi në këto dy vite? Propozimi për ta ulur e më pas hequr akcizën dhe TVSH-në për naftën, tërheqje të 30% të Trustit dhe ulje të tatimeve e rritje të pagave. Këto pra ishin tri propozimet e tyre. E para, ajo për akcizën dhe TVSH-në e naftës, u shërben naftëtarëve për ta rritur marzhën e fitimit. Ne vendosëm çmimin tavan i cili uli çmimin për qytetarët. E dyta, ajo e tërheqjes së Trustit, nuk ndihmon ata që kanë nevojë dhe shkatërron sistemin pensional që kemi. Një herë na e shkatërroi Serbia, së dyti deshën ta shkatërrojnë doktorët e LDK-së. Dhe e treta, ajo e uljes së tatimeve dhe rritjes së pagave – një propozim që nuk ka sens, një populizëm i pastër që as nuk merr mundin të tregojë se ku të merren paratë”, thuhet ndër të tjera në videon e VV-së.
Në të tria rastet, VV-ja thotë se nuk pati asnjë ide serioze për ekonomi. Madje thotë se të tria propozimet do të mirëkuptoheshin “po të vinin nga një fizioterapeut si ‘Kamishi’, por jo nga këta doktorët e ekonomisë”.
“Por, nuk pritet asgjë e mençur prej këtyre që kërkojnë vota nga qytetarët për të menduar për milionerët. I kemi parë në qeverisje: privatizim, stagnim, shtrenjtim dhe varfërim i mëtejmë i qytetarëve”, ka thënë VV-ja në këtë video.
Më tej thonë se me qeverisjen e re ka ndryshuar kursi i ekonomisë, duke thënë se “ndonëse kishim pandeminë për dy vite, agresionin ushtarak rus në Ukrainë, inflacionin, krizën botërore me energjinë, ne shënuan rritje ekonomike në secilin vit, dhe për vitin 2023 sipas Bankës Botërore do të kemi rritjen ekonomike më të madhe në rajon”.
Po ashtu, VV-ja thotë se qeveria këtë rritje ekonomike, përveçse e ka ndarë për investime kapitale, një pjesë të madhe e ka shpërndarë edhe në shoqëri, “e sidomos te ata që kanë më së shumti nevojë, pra për gratë, nënat lehona, fëmijët, pensionistët, studentët, familjet në asistencë sociale, personat me aftësi të kufizuar, punëtorët e sektorit publik, të sektorit privat dhe bizneset”.
“Vetëm politika jonë e shtesave për fëmijët financiarisht tejkalon shumën financiare të gjysmës së atyre që do të tërhiqnin Trustin. Pra, rreth 300 mijë fëmijë gjatë vitit 2023 do t’i marrin 120 euro”, thekson VV-ja në videon që sulmon LDK-në, duke shtuar: “Ne u përkujdesëm për secilën kategori shoqërore, duke i shtrirë efektet e rritjes ekonomike në secilën pjesë të vendit. Shtuam punësimin duke e inkurajuar atë. Shtuam fuqinë blerëse duke ndarë pagesa të dyfishta për kategori të caktuara. Shtuam përkujdesjen shtetërore duke mos e lënë askënd mbrapa. Të gjitha këto janë thënë edhe më herët, dhe secilin debat për ekonomi e kemi fituar ndaj kësaj partie të ekonomistëve”.
“Por, gjithsesi është e rëndësishme të kujtohet që këta profesorë-doktorë, gjysma e të cilëve e kanë një person të njëjtë si mbikëqyrës të titullit të tyre akademik, nuk kanë ofruar dhe vazhdojnë të mos ofrojnë asnjë alternativë serioze për ekonomi, dhe asnjë kritikë substanciale për qeverisjen tonë”, përfundon videoja e VV-së drejtuar LDK-së.

