Institucioni mikrofinanciar “Ria” është bërë cak i hajnave pasditen e sotme ku rreth orës 14:00, një person i dyshuar ka hyrë i armatosur në filialin e institucionit në lagjen “Nazim Gafurri” në Prishtinë dhe ka kryer grabitjen, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjalit brenda Prokurorisë bëjnë të ditur se dyshohet se janë grabitur rreth 1 mijë euro.
I dyshuari mbetet ende i panjohur, por janë marrë të gjitha veprimet hetimore që ndihmojnë në identifikimin dhe kapjen e tij.
Ndryshe, rastin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Pas marrjes së informacionit policia ka dalë në vendngjarje dhe bazuar në informacionet e para, dyshohet se një personi i dyshuar nën kërcënim të armës ka grabitur një shumë parash. Policia ka iniciuar një hetim lidhur me rastin dhe ka nisur me ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme policore me qëllim zbardhjen e rrethanave të rastit si dhe identifikimin dhe arrestimin e personit të dyshuar”, tha Ahmeti.