Një vajzë që në rrjetet sociale identifikohet me emrin “Grizelde” ka reaguar pas protestës së sotme para Kuvendit, duke shprehur zhgënjimin e saj ndaj pjesëmarrësve që, sipas saj, u fokusuan më shumë te fotografitë dhe videot sesa te protesta.
Ajo tha se vetëm një numër i vogël protestuesish po përballen dhe po rezistojnë, ndërsa pjesa tjetër, sipas saj, merret me publikimin e përmbajtjeve në rrjete sociale.
“A jemi në protestë apo në garë se kush do të dalë më bukur në Instagram?”, ka shkruar ajo.
“Grizelde” theksoi se edhe pse është influencuese dhe ka realizuar video gjatë protestave, ajo pretendon se ka qenë pjesë aktive e përballjes. Sipas saj, protestat nuk duhet të shndërrohen në garë për views, tag-e apo bashkëpunime.
Ajo gjithashtu deklaroi se ka humbur punën dhe se ende nuk ka gjetur një të re, duke pretenduar se disa persona hezitojnë ta punësojnë pasi e shohin si protestuese.
Në fund të reagimit, ajo bëri thirrje për më shumë pjesëmarrje dhe rezistencë, duke theksuar se “nuk mund të jenë gjithmonë të njëjtët 40 veta që mbajnë peshën e gjithë protestës”.

