Telenews

Specialja nis procesin për kompensim të viktimave në rastin e ish-krerëve të UÇK’së

Gjykata Speciale në Hagë ka nisur procedurat për përcaktimin e reparacioneve për viktimat në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët një ditë më parë u dënuan në shkallën e parë me gjithsej 81 vjet burgim për krime lufte.

Palëve në proces u janë caktuar afate gjatë shtatorit dhe tetorit për të deklaruar nëse do të paraqesin prova lidhur me reparacionet, shkruan Insajderi.

Përfaqësuesi i viktimave duhet të paraqesë kërkesën konkrete për reparacione deri më 14 tetor 2026.

Pas kësaj, Prokuroria e Specializuar dhe ekipet e Mbrojtjes do të kenë afat deri më 4 nëntor 2026 për të paraqitur përgjigjet e tyre.

Vendimi:

a) VENDOS që të zhvillojë procedurën për reparacionet dhe të nxjerrë një urdhër për reparacionet, në përputhje me nenin 22(8) dhe rregullën 168, me kusht që Mbrojtja të mos paraqesë kundërshtime;

b) URDHËRON Mbrojtjen që të paraqesë çdo kundërshtim lidhur me këtë çështje deri të martën, më 22 shtator 2026;

c) URDHËRON Përfaqësuesin e Viktimave dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) që të paraqesin përgjigjet e tyre deri të premten, më 25 shtator 2026;

d) URDHËRON Përfaqësuesin e Viktimave që ta informojë Trupin Gjykues dhe palët për çdo ndryshim në mënyrën e paraqitjes së provave, në përputhje me rregullën 168, deri të martën, më 22 shtator 2026;

e) URDHËRON që, nëse Përfaqësuesi i Viktimave ende dëshiron të paraqesë prova në përputhje me rregullën 168, ai duhet ta bëjë këtë deri të mërkurën, më 7 tetor 2026;

f) URDHËRON Mbrojtjen që ta informojë Trupin Gjykues, Përfaqësuesin e Viktimave dhe ZPS-në nëse synon të paraqesë ndonjë provë në përputhje me rregullën 168, deri të martën, më 22 shtator 2026;

g) URDHËRON Përfaqësuesin e Viktimave që të paraqesë kërkesën për reparacione deri të mërkurën, më 14 tetor 2026;

h) URDHËRON ZPS-në dhe Mbrojtjen që t’i përgjigjen kërkesës për reparacione deri të mërkurën, më 4 nëntor 2026;

i) URDHËRON Sekretarinë që ta riklasifikojë si publike Urdhrin e 6 nëntorit 2025, parashtresat e Përfaqësuesit të Viktimave të 17 nëntorit 2025 dhe parashtresat e ZPS-së të 17 nëntorit 2025, jo më vonë se të martën, më 22 shtator 2026;

j) URDHËRON Mbrojtjen që të dorëzojë versionet publike të redaktuara të parashtresave të Mbrojtjes të 17 nëntorit 2025, ose të kërkojë riklasifikimin e tyre, deri të martën, më 22 shtator 2026.

Të ngajshme

82-vjeçari nga Kosova humb jetën në detin e Velipojës

Yllka Gashi

Rikthehet në operim njësia A4 e Termocentralit “Kosova A”

Yllka Gashi

128 vjet burgim për shqiptarët, 107 për serbët, këto janë dënimet e shqiptuara nga gjykata me seli në Hagë për luftën në Kosovë

Yllka Gashi