Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se kryeministri Albin Kurti në Kuvend ku është thirrur të raportojë për draftin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, vendosi t’i flasë përkrahësve të tij. Duke u ankuar për mostransparencë, Abdixhiku tha se nga ato deklarata që thanë presidentja Vjosa Osmani e kryeministri për draftin e Asociacionit që e kanë parë dokumentin ka kontradikta, raporton Ekonomia Online.
Abdixhiku tha se ndonëse Kryeministri i vendit ka pranuar një dokument që për herë të parë definon statutin e Asociacionit, vazhdojmë të jemi në terr të plotë informativ. Ai tregoi se si Lidhje Demokratike e Kosovës, nëpërmjet kryetarit të Kuvendit, kanë kërkuar qasje zyrtare në këtë dokument.
“Ndoshta e kuptoj, por s’e mirëkuptoj. Bëhet fjalë për jetë të humbura për një kauzë që është shuar nga ai. Përtej kësaj ironie, e kam të vështirë ta kuptoj kundërthënien në vazhdimësi: ‘Jam i gatshëm ta nënshkruaj qysh sonte, por s’e kam pranuar’”.
“Dhe meqë nuk mund të flasim për përmbajtjen, meqë nuk e kemi atë, do të duhet të flasim për procesin dhe të hamendësojmë. Ky hamendësim bëhet edhe më i thellë kur kuptojmë se dy zyrtarë shtetërorë, Kryeministri dhe Presidentja, që kanë pranuar dokumentin në gjithë përbërjen e tij, kanë dhënë dy qëndrime kontradiktore në përmbajtje të tij. Gjersa Kryeministri pretendon se Statuti i Asociacionit të tij është në përputhje me Gjykatën Kushtetuese – ose së paku kështu i kanë thënë atij – Presidentja, si pranuese e po të njëjtit dokument, shpalos hezitimin e ngutisë për një cilësim të tillë. Dhe jo vetëm aq, njofton dërgimin e komenteve në Kushtetuese në rastin e parë, si shenjë e qartë e mospërputhjes me Kushtetutë”.
“Një dokument kaq jetik, i dakorduar tashmë në raport me Serbinë, vazhdon të mos shpaloset paraprakisht para popullit të Kosovës. Jo vetëm për deputetët e partisë sonë politike, por për të gjithë deputetët në këtë Kuvend. Një qasje e tillë nuk na është siguruar ende. Së këndejmi, dhe kjo seancë humbet kuptimin përmbajtjesor. Sepse do të duhej të flisnim për një materie të pranuar zyrtarisht, të shndërruar tani në obligim ndërkombëtar”.
“Sot, mund të mos kemi dalje nga kjo situatë. Sot, për shkak të pozicionit të pafavorshëm diplomatik, për shkak të menaxhimit katastrofal të procesit dialogues kemi ndërtuar një presion ndërkombëtar që na detyron në zgjidhje të tilla. Nesër, për më tepër, mund të kemi situatë dhe më të rëndë e propozime dhe më të rënda. Të gjitha këto janë të vërteta; por njëtrajtësisht është e vërtetë se për shkak tuajin kemi marrë rezultatet më të rënda të mundshme. Asociacion ende të padefinuar në natyrë për popullin e Kosovës, pa njohje, dialog të gjatë, e në kërkim të marrëveshjes përfundimtare; me koncesione tjera në pritje; dhe pa qartësi për koncensionet e tanishme”. /Telenews.al/