Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka theksuar se Tetova nuk duhet të lejohet të poshtërohet.
Ahmeti ka kujtuar figurat historike dhe sakrificën e shumë brezave që, sipas tij, ndërtuan Tetovën si simbol të krenarisë kombëtare.
“Nuk mund të lejohet të poshtërohet Tetova. Tetova e Abdylselam Eminit, për gjakun që dha për universitetin, për shqiptarët që nuk u përkulën. E mbajtëm gati 10 vjet me financat e veta, kush e mbajti. Krenaria kombëtare e mbajtën ata çeleshebardhët”.
“Prandaj sot është koha t’i dalim zot dhe t’i ruajmë këto vlera që na i kanë ndërtuar të parët, që nga Mehmet Gega e deri te Abdylselam Emini. A do të lejojmë që gjaku i Mujdin Aliut të harrohet? Assesi! Sepse ai gjak është edhe në Kosovë, shtetin më të ri në Evropë. A do të lejojmë që mundi, djersa dhe gjaku i Isa Lika të harrohet, të poshtërohet Tetova e Isa Likës? Kurrë!”, ka deklaruar Ahmeti para qytetarëve.
Në Maqedoni të Veriut, të dielën e 19 tetorit do të mbahen zgjedhjet lokale. BDI garon në Tetovë me Bajram Rexhepin.